OKB: 45 milionë dollarë janë ndarë për qëllime humanitare në Jemen

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se kanë akorduar 45 milionë dollarë për të mbështetur ndihmat humanitare për Jemenin që ndodhet në luftën civile, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim të bërë në faqen në Twitter të Zyrës së Koordinimit të Ndihmës Humanitare të OKB-së (OCHA) në Jemen, thuhet se civilët vazhdojnë të paguajnë një çmim të rëndë në konfliktet në vend.

Më tej thuhet se shuma në fjalë do të përdoret gjithashtu për njerëzit e zhvendosur dhe nevojtarët në Jemen.

Përplasjet e intensifikuara midis forcave qeveritare dhe Houthive të mbështetur nga Irani, veçanërisht në Marib, kanë çuar në zhvendosjen e mijëra njerëzve.

– Lufta civile në Jemen

Rebelët Houthi të mbështetur nga Irani në Jemen kanë kontrolluar kryeqytetin Sana dhe disa rajone që nga shtatori 2014. Ndërkohë, forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga marsi i vitit 2015 kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër Houthive.

Nga konfliktet në vend, 233.000 persona humbën jetën dhe kriza humanitare, e cila është rritur për shkak të luftës civile në Jemen, që është ndër vendet më të varfra në botë, ka marrë përmasa të tmerrshme.

Sipas OKB-së, më shumë se 22 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje në Jemen, i cili ka një popullsi prej 30 milionë banorësh dhe po përjeton një nga krizat më të rënda humanitare në botë.

Rebelët Houthi, të cilët duan të pushtojnë Maribin, një nga bastionet më të rëndësishme të qeverisë legjitime në Jemen dhe ku ndodhen fushat e naftës dhe gazit natyror, si dhe selia e Ministrisë së Mbrojtjes, që nga shkurti 2021 kanë shtuar sulmet e tyre në këtë zonë. /aa