OKB: Bashkëpunim i rrezikshëm mes Koresë së Veriut dhe regjimit sirian

Grupi i ekspertëve i themeluar në kuadër të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) paralajmëroi se Koreja e Veriut është duke bashkëpunuar me regjimin e presidentit sirian Bashar al-Asad, sa i përket zhvillimit të armëve kimike dhe raketave balistike, raporton Anadolu Agency (AA).

Një grup prej tetë ekspertësh të OKB-së të ngarkuar për mbikëqyrjen e impementimit të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Koresë së Veriut, ka publikuar një raport ku thonë se janë duke kontrolluar njohuritë e inteligjencës në lidhje me bashkëpunimin në mes të Koresë së Veriut dhe regjimit të Asadit në zhvillimin e armëve kimike të ndaluara, raketave balistike dhe armëve konvencionale.

Raporti mbulon periudhën nga shkurti deri në gusht të këtij viti, ndërkaq ekspertët theksojnë se ende janë duke kontrolluar informacionet rreth aktivitetit të subjekteve të Koresë së Veriut në Siri, përkatësisht operatorët të cilët tashmë janë në listën e sanksioneve të OKB-së.

Dy anëtarë të OKB-së kanë parandaluar transportin e mallit përmes rrugëve detare nga Koreja e Veriut për në Siri, kurse në raport thuhet se malli ishte destinuar për Qendrën për Shkencë dhe Teknologji, apo kompanisë së saj simotër në Siri.