OKB dërgon ndihma humanitare në Idlib të Sirisë

Kombet e Bashkuara (OKB) kanë dërguar ndihma humanitare për civilët në Idlib, qytetin e shkatërruar në veriperëndim të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

OKB ka dërguar 29 maunë me ndihma, të cilat do të shpërndahen në mesin e familjeve në qytet, si dhe në zonat rurale përreth.

Maunët kanë hyrë në territorin sirian përmes pikës kufitare Cilvegözü në provincën Hatay në jug të Turqisë.

Regjimi i Bashar al-Asadit vazhdon sulmet e intensifikuara ajrore dhe tokësore ndaj vendbanimeve civile në zonën e deeskalimit në Idlib.

Turqia dhe Rusia në shtator të vitit të kaluar u dakorduan që të shndërrojnë Idlibin në një zonë të deeskalimit në të cilën veçanërisht do të ndaloheshin aktet e agresionit. Mirëpo, armëpushimi vazhdon të shkelet dhe që atëherë më shumë se 1.600 civilë janë vrarë në sulmet e forcave ruse në zonë.

Në një veprim të fundit, Turqia më 10 janar njoftoi për një armëpushim të ri në Idlib që do të fillonte pas mesnatës më 12 janar. Megjithatë, regjimi dhe grupet terroriste të mbështetura nga Irani vazhduan sulmet tokësore.

Më shumë se një milion sirianë janë vendosur në afërsi të kufirit turk për shkak të sulmeve intensive vitin e fundit.

Turqia është shteti me numrin më të madh të refugjatëve, pasi ka strehuar mbi 3,7 milionë migrantë që nga fillimi i luftës civile në Siri në vitin 2011.