OKB-ja ka deklaruar se autoritetet izraelite kanë bllokuar disa misione humanitare në Rripin e Gazës, përfshirë një mision që synonte të arrinte një impiant të trajtimit të ujërave të zeza në Khan Younis, duke kufizuar ndihmën për civilët në nevojë urgjente, transmeton Anadolu.
Duke cituar Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, gjatë një konference për media tha se ekipet e OKB-së “tentuan të koordinojnë tetë misione humanitare, pesë prej të cilave u lehtësuan plotësisht”.
“Tre misionet e tjera, përfshirë një për të arritur një impiant të trajtimit të ujërave të zeza në Khan Younis, u refuzuan nga autoritetet izraelite”, tha ai.
Sipas tij, misionet që u realizuan grumbulluan ushqime dhe furnizime mjekësore në pikëkalimet Kerem Shalom dhe Karem Abu Salem, ndërsa monitoruan dërgesat humanitare në Kerem Shalom dhe Kissufim.
“Katër muaj pas hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit, zgjerimi i ndihmës humanitare ka shpëtuar jetë të panumërta dhe ka zmbrapsur urinë në Gaza”, tha Dujarric.
Megjithatë, ai theksoi se shumë banorë të Gazës vazhdojnë të jetojnë në kushte jashtëzakonisht të vështira dhe se përgjigjja humanitare përballet me pengesa të mëdha, veçanërisht në hyrjen e mallrave dhe aftësinë e organizatave për të operuar.
Sipas OKB-së, rreth 1.5 milionë njerëz ose dy nga çdo tre palestinezë në Gaza po qëndrojnë në afër 1 mijë pika zhvendosjeje, shpesh të mbipopulluara dhe në tenda që ofrojnë pak mbrojtje nga kushtet atmosferike.
Teksa partnerët e OKB-së siguruan tenda, shtroja dhe veshmbathje për më shumë se 85 mijë familje në janar, Dujarric paralajmëroi se për “të ofruar zgjidhje më të qëndrueshme, duhet të hiqen kufizimet për hyrjen e materialeve dhe pajisjeve thelbësore të ndërtimit”.
Një marrëveshje armëpushimi e 10 tetorit i dha fund luftës 2-vjeçare të Izraelit, e cila filloi në tetor të vitit 2023. Autoritetet palestineze deklarojnë se konflikti ka vrarë më shumë se 72 mijë palestinezë, ka plagosur mbi 171 mijë të tjerë dhe ka shkaktuar shkatërrim të gjerë, duke prekur 90 për qind të infrastrukturës civile.
OKB-ja vlerëson se kostoja e rindërtimit në Rripin e Gazës arrin në rreth 70 miliardë dollarë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, të paktën 591 palestinezë janë vrarë dhe mbi 1.578 të tjerë janë plagosur nga sulmet izraelite vetëm që nga hyrja në fuqi e armëpushimit.






