Ballina Lajmet Rajon dhe Botë OKB: Në Jemen gjatë janarit janë vrarë 234 civilë

OKB: Në Jemen gjatë janarit janë vrarë 234 civilë

Kombet e Bashkuara (OKB) njoftuan se 234 civilë u vranë në Jemen në muajin janar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare është publikuar një raport për vdekjet në konfliktin në Jemen.

Në raport theksohet se në janar në Jemen u vranë 234 civilë dhe ky ishte numri më i lartë brenda një muaji në konfliktin që vazhdon prej vitesh.

Më tej theksohet se konflikti i vazhdueshëm në Jemen shkaktoi viktima të rënda në mesin e civilëve, “me përkeqësimin e situatës nga tremujori i fundit i vitit 2021 në 2022”.

Sipas raportit, në vitin 2021, 769 civilë u vranë, me një mesatare prej 7 personash në ditë dhe u plagosën gjithsej 1.739 persona.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Huthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.

Situata u përkeqësua më tej kur një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite nisi një fushatë ushtarake që synon të rivendosë qeverinë e Jemenit.

Jemeni tani është skenë e një prej krizave më të rënda humanitare të shkaktuara nga njeriu në botë, ku gati 80 për qind e popullsisë ose rreth 30 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje humanitare. Sipas OKB-së mbi 13 milionë janë në rrezik nga uria. /aa