OKB: Pati gjenocid kundër Rohingyave

 Misioni i Pavarur Ndërkombëtar i Identifikimit të Fakteve i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Mianmarin ka theksuar se “qëllimi gjenocidal” është i pranishëm kundër muslimanëve Rohingya, transmeton Anadolu Agency (AA).

Raporti përcaktoi popullin Rohingya nga shteti Rakhinë i Mianmarit si “grup të mbrojtur” dhe se trajtimi kundër tyre nga forcat e sigurisë së Mianmarit “përfshin sjelljen që i përket katër prej pesë veprimeve të ndaluara të përcaktuara”.

Raportimet përmendën katër veprimet e ndaluara të vrasjes, shkaktimin e dëmit të rëndë trupor ose mendor, imponimin e kushteve të jetës të llogaritura për të shkaktuar shkatërrim fizik të grupit në tërësi ose pjesërisht si dhe imponimin e masave që kanë për qëllim parandalimin e lindjeve.

Misioni i OKB-së më tej kërkoi “një organ prokurorial kompetent dhe gjykata për të hetuar dhe gjykuar rastet kundër individëve të caktuar për të përcaktuar fajin ose pafajësinë individuale”.

Që nga 25 gushti i vitit 2017, sipas Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar Ontario (OIDA), afër 24 mijë muslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat shtetërore të Mianmarit.

Sipas Amnesty International, më shumë se 750 mijë refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh, pasi forcat e Mianmarit nisën një goditje ndaj komunitetit musliman.

Komuniteti Rohingya, i përshkruar nga OKB-ja si populli më i përndjekur në botë, është përballur me frikën e rritur të sulmit, pasi dhjetra u vranë në dhunën komunale të vitit 2012.

OKB-ja ka dokumentuar përdhunimet në masë, vrasjet, duke përfshirë edhe foshnjat dhe fëmijët e vegjël, rrahjet brutale dhe zhdukjet e kryera nga forcat shtetërore të Mianmarit.