Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Stephane Dujarric, ka njoftuar se urdhrat e zhvendosjes nga ana e Izraelit përfshijnë të gjitha rajonet veriore dhe jugore të Gazës, si dhe pjesët lindore të territorit.
Në një konferencë për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork, Dujarric tha se Kombet e Bashkuara dhe partnerët humanitarë arritën të fusin vetëm pesë kamionë me ndihma në Gaza të enjten. “60 kamionët e tjerë u detyruan të kthehen për shkak të luftimeve të ashpra në zonë,” shtoi ai.
“Ndihma e kufizuar që po hyn në Rrip nuk është aspak e mjaftueshme për të ndihmuar 2.1 milionë njerëz që janë në nevojë ekstreme. Me përkeqësimin e situatës në terren dhe rënien e rendit publik, vazhdojnë të raportohen raste grabitjesh.”
Ai gjithashtu bëri të ditur se një grup personash të armatosur sulmoi depot e një spitali fushor në Deir el-Balah në Gazën qendrore, duke grabitur sasi të mëdha të pajisjeve mjekësore, barnave dhe suplementeve ushqimore që ishin të destinuara për fëmijët e kequshqyer. /mesazhi








