Zëdhënësja e UNRWA-s, Tamara Alrifai, ka deklaruar se sulmet izraelite ndaj ndërtesave banesore në qytetin e Gazës janë pjesë e një fushate të vazhdueshme për ta bërë jetën të padurueshme për banorët që kanë mbijetuar muaj bombardimesh.
“Sulme të tilla janë pjesë e një fushate të pandërprerë për të rrafshuar lagje të tëra, për të zhdukur familje e jetë njerëzish,” tha Alrifai për Al Jazeera.
Ajo theksoi se bombardimet kanë ndodhur shumë pranë zyrave të UNRWA-s në Gaza City dhe se gati 90% e territorit të Gazës tashmë është i pabanueshëm për shkak të shkatërrimeve dhe zhvendosjeve të detyruara.
“Prej gati 700 ditësh kemi parë vrasje masive, zhvendosje të dhunshme dhe kushte që e bëjnë mbijetesën pothuajse të pamundur,” shtoi ajo, duke përmendur mungesën e sigurisë, urinë dhe rrezikun nga mjetet e pashpërthyera. /mesazhi








