Ora iu gjet trupit të Isidor Straus, bashkëpronar i dyqanit të njohur Macy’s në Nju Jork, pas mbytjes së anijes më 14 prill 1912. Ai dhe bashkëshortja e tij Ida ishin mes mbi 1,500 viktimave të tragjedisë
Një orë xhepi prej ari 18 karatësh, e cila i përkiste njërit prej pasagjerëve më të pasur të Titanikut, pritet të arrijë vlerën e 1 milion paundëve në ankand.
Ora iu gjet trupit të Isidor Straus, bashkëpronar i dyqanit të njohur Macy’s në Nju Jork, pas mbytjes së anijes më 14 prill 1912. Ai dhe bashkëshortja e tij Ida ishin mes mbi 1,500 viktimave të tragjedisë.
Straus ishte një biznesmen dhe politikan amerikan me origjinë bavareze. Ora e markës “Jules Jurgensen” ishte dhuratë nga Ida për bashkëshortin në vitin 1888.

Në të janë gdhendur inicialet e tij dhe ora është ndalur në 2:20 të mëngjesit, momentin kur Titaniku u fundos. Sipas personit që e shet objektin në ankand Andrew Aldridge, kjo është një “copëz e jashtëzakonshme historie”.
Aldridge kujton se çifti Straus është përjetësuar në filmin “Titanic” të James Cameron, si çifti i moshuar që përqafohet, teksa anija fundoset. Në natën e tragjedisë, Ida refuzoi një vend në varkën e shpëtimit, për të mos u ndarë nga bashkëshorti i saj. Trupi i saj nuk u gjet kurrë.

Ora iu kthye familjes pas ngjarjes dhe u trashëgua brez pas brezi. Stërnipi i Isidorit, Kenneth Hollister Straus, e restauroi orën disa vite më parë. Në ankand do të shitet edhe një letër e rrallë, që Ida e kishte shkruar gjatë udhëtimit me anijen e Titanikut.
Në letër, ajo përshkruan luksin dhe madhështinë e anijes. “Çfarë anijeje! Ka kaq shumë madhështi e elegancë”. Ankandi do të mbahet më 22 nëntor në Wiltshire, ku pritet që ora të bëhet një nga artefaktet më të shtrenjta të Titanikut, të shitura ndonjëherë.








