Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, kritikoi të hënën “përgatitjet për luftë” të Brukselit, duke thënë se Evropa tashmë drejtohet nga një “trojkë gjermane lufte”, duke sulmuar kancelarin e Gjermanisë, presidenten e Komisionit Evropian dhe kreun e Partisë Popullore Evropiane (EPP), transmeton Anadolu.
Duke folur në një aktivitet në kryeqytetin Budapest, Orban akuzoi politikanët gjermanë se janë “luftënxitësit më të mëdhenj” dhe se Brukseli po bën “përgatitje për luftë”.
“Evropa tani drejtohet nga një trojkë gjermane lufte: presidentja e Komisionit (të BE-së) (Ursula von der Leyen) është gjermane, kancelari gjerman (Friedrich Merz), natyrisht, dhe udhëheqësi i fraksionit më të madh në Parlamentin Evropian, presidenti i Partisë Popullore Evropiane (EPP), Manfred Weber, është gjithashtu gjerman”, tha Orban.
EPP-ja ka qenë partia më e madhe në Parlamentin Evropian që nga viti 1999 dhe në Këshillin Evropian që nga viti 2002.
Ai i akuzoi tre politikanët gjermanë se po “formësojnë sot politikën e luftës së Evropës”.
Orban tha se ata duhet të ndalojnë përgatitjet për luftë, përndryshe “nipërit e mbesat tanë do ta paguajnë çmimin”.
Duke ndjekur një kurs të ndryshëm nga BE-ja në tërësi, përfshirë çështje madhore si Ukraina dhe migracioni, qeveria e Orbanit ka kritikuar vazhdimisht politikën e jashtme të bllokut.






