Osmani: Kosova, projekti më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane e evropiane

Presidentja Vjosa Osmani ka bërë thirrje nga foltorja e Kuvendit të Kosovës për vaksinim kundër COVID-19, duke theksuar se viti që po lëmë pas ishte shumë sfidues për shkak të pandemisë.

Në adresimin vjetor para deputetëve ajo ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, dhe tha se Kosova do vazhdojë të luaj rol konstruktiv në këtë proces. Të njëjtën, qasje ajo ka thënë se e sheh edhe nga Serbia.

“Për fat të keq, nuk e shohim këtë gatishmëri te Serbia, qëllimet e tyre mbesin të njëjta sado që strategjitë mund tu ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë, as në veprime. Duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon, Serbia ka qëllim të destabilizoj shtete e rajonit, përfshirë Kosovën duke përfshirë logjikën e shekullit të kaluar. Sa i përket dialogut, nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Dialogu nuk është dhe nuk do lejojmë të shndërrohet për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të vendit tonë”, ka thënë ajo.

Osmani ka shtuar se Serbia po vepron me ide dhe logjikë të shekullit të kaluar, ide që çojnë në konflikte të reja, tha ajo.

“Idetë e shekullit të kaluar që kanë për qëllim segregimin e jo integrimin, ndarjet etnike e jo multietnicitetin, nuk janë në të mirën e Kosovës dhe as rajonit. Idetë e tilla krijojnë konflikte të reja dhe jofunksionalitet. Më tërë atë që po ndodhë në Bosnjë është e pakuptueshme që ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë do ta krijonin krizën e njëjtë si në Bosnjë”.

Presidentja ka folur edhe për angazhimin me shtetet e tjera për interesat e Kosovës. Ajo tha se Kosova është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane.

“Si presidente jam angazhuar të shtyjë përpara interesat e Kosovës, të bëjë rienergjizimin e aleancave me shtete mike dhe të trasoj rrugën për krijimin e aleancave të reja. Kosova është me fat të mirë të ketë miq anë e mbanë botës. Jemi të lumtur të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane. Prandaj në vizitat e mia përveç mirënjohjes, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e bashkëpunimi bilateral me vendet që kam vizituar”.

Ndërkaq, tha se vonesa disa vjeçare në procesin e liberalizimit të vizave “po dëmton jo vetëm qytetarët tanë por kredibilitetin e BE-së”.

Tha se vendit i nevojitet reforma në shërbimin e jashtëm, ndërsa foli edhe për transparencën institucionale, për të cilën tha se do të bëjë publike të gjitha shpenzimet zyrtare.

“Gjatë këtij muaji do ta dërgojmë në një nivel tjetër, ku në mënyrë proaktive do të publikojmë shpenzimet e mia dhe kabinetit tim, shpenzimet zyrtare, por edhe shpenzimet e viteve paraprake, ku dëshmohet që derisa shpenzimet tona janë shumëfish më të vogla, puna jhonë për vendin është e madhe”, ka thënë Osmani.