Pacolli, Daçiqit: Shtetësia e Kosovës është diçka e kryer

Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli në takimin e përbashkët me homologët e tij të Ballkanit Perëndimor në Sarajevë ka thënë se shtetësia e Kosovës është i diçka e kryer.

Ai i është kundërpërgjigjur homologut të tij serb, Ivica Daçiq, se “shtetësia e Kosovës është diçka e kryer. Ne do të jemi bashkë në Sofie, si gjithë shtetet e tjerë të Ballkanit dhe të Bashkimit Europian”, transmeton lajmi.net.

Postimi i Pacollit në Facebook:

Në Sarajevë ka nisur sot takimi i përbashkët i ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor me drejtues të lartë të Komisionit Europian dhe Britanisë së madhe në kuadër të Procesit të Berlinit dhe Iniciativës së Triestes, dy instrumenta nxitës të afrimit të këtyre vendeve me Bashkimin Europian.

Takimi u hap nga nikoqiri, ministri i jashtëm i Bosnjë Hercegovinës, Igor Crnadak, i cili ja dha pastaj fjalën ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, në emër të Bullgarisë, vend që kryeson Bashkimin Europian.

Drejtori i Zgjerimit, Kristian Danielson, në emër të Komisionerit Hahn, ilustroi pritshmëritë e Bashkimit Europian prej vendeve të Ballkanit në reforma dhe në bashkëpunim rajonal.

“Ballkani është bërë prioriteti numër një për Komisionerët Mogherini dhe Hahn dhe gjithë Bashkimin Europian, dhe ju duhet të kapni momentumin e artë”, ju drejtua Drejtoresha për Ballkanin dhe Turqinë në Komision, Angelica Eichhorst, ministrave të Ballkanit.

Ministri i jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, bëri thirrje për më shumë realizëm prej Bashkimit Europian, duke i kërkuar më shumë qartësi për afatet, instrumentet, mjetet, në dispozicion të zgjerimit të vendeve të Ballkanit.