Pakoja ekonomike, Qeveria ndan mbi 270 mijë euro për familjet në nevojë

Qeveria e Kosovës ka mbajtur sot mbledhje elektronike në të cilën ka miratuar një sërë vendimesh, në mesin e tyre edhe atë për ndarjen e 273.600 eurove për zbatimin e masës 3.4 – kuponë ushqimi për familjet në nevojë të Pakos së ringjalljes ekonomike.

Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndryshim-plotësimin e vendimit të Qeverisë të datës 27.01.2021 dhe vendimit të datës 25.01.2023 për ndryshim-plotësimin e vendimit të datës 23.03.2022 për formimin e Komisionit për Kontrollin e Tregtisë me Mallra Strategjike.

Sipas këtij ndryshim-plotësimi, Driton Ademi, zëvendës anëtar, zëvendësohet nga Destan Mustafa, zëvendës anëtar i këtij komisioni, ndërsa Elmaze Pireva, anëtare, zëvendësohet nga Berat Jashari, anëtar.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndryshim-plotësimin e vendimit të Qeverisë të datës 24 maj 2023, sipas së cilit ndryshohet dhe plotësohet pika 1.5 e vendimit si në vijim – Adelina Berisha, përfaqësuese nga Shoqëria Civile, anëtare.

Po ashtu, është aprovuar vendimi për ndarjen e 500 eurove për zbatimin e masës 1.7 – skema e granteve për zanate të pakos së ringjalljes ekonomike, vendimi për të kërkuar nga presidentja Vjosa Osmani dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit ndërkombëtar për zhvillim për programin e parë për “Financimin e politikave zhvillimore për efektivitetin fiskal, konkurrueshmërinë dhe rritjen e gjelbër.”

Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes së grantit ndërmjet Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Komunës së Prizrenit dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për projektin “Eficienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren,” raportin e vlerësimit të përshtatshmërisë së sistemit të financimit të komunave për 2023, si dhe raportin vjetor financiar të buxhetit të Kosovës për vitin 2023.