Organizata të shoqërisë civile në Turqi dhe klube të njohura futbolli kanë bërë thirrje për një tubim masiv më 1 janar në Urën Galata në Stamboll, në shenjë solidariteti me palestinezët dhe kundërshtim ndaj sulmeve izraelite në Gaza.
Tubimi organizohet nga Platforma e Vullnetit Kombëtar dhe synon të dërgojë mesazhin “ndal masakrës në Palestinë”, si dhe të mbajë gjallë ndërgjegjësimin ndërkombëtar për situatën në Gaza. Njëkohësisht, pjesëmarrësit do të nderojnë edhe policët turq të rënë dëshmorë në një operacion kundër terrorizmit në Yalova.
Hatice Yilmaz, kryetare e bordit të fondacionit TURGEV, tha se çështja palestineze është një përgjegjësi morale dhe shoqërore, duke theksuar se Izraeli vazhdon të shkelë armëpushimin dhe ligjin humanitar. Ajo shtoi se protestat masive në Evropë dhe SHBA janë zbehur dhe se tubimi i 1 janarit synon të thyejë këtë heshtje.
Edhe Abdullah Ceylan, kryetar i shoqatës ONDER, deklaroi se thirrja e 1 janarit ka një kuptim universal, duke e cilësuar Izraelin si kërcënim serioz për paqen dhe stabilitetin botëror. Sipas tij, ajo që po ndodh në Palestinë është rezultat i një politike të gjatë pushtimi dhe dhune.
Mbështetje për tubimin kanë dhënë edhe klube të mëdha të futbollit turk, përfshirë Galatasaray, Fenerbahce, Besiktas dhe Trabzonspor, të cilat u kanë bërë thirrje tifozëve të marrin pjesë. Përfaqësuesit e klubeve thanë se heshtja përballë vuajtjeve në Gaza është e papranueshme dhe se qëndrimi kundër shtypjes është një detyrë njerëzore.
Tubimi në Urën Galata pritet të jetë një nga protestat më të mëdha në Turqi në mbështetje të Palestinës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit. /mesazhi







