Papa Françesku: Lufta në Ukrainë po largon vëmendjen nga uria

Papa Françesku ka thënë të dielën se lufta në Ukrainë është duke e larguar vëmendjen nga problemi i urisë në botë, derisa bëri thirrje për ndihmë urgjente ushqimore për të shmangur urinë në Somali, shkroi Reuters.

Në fjalimin e tij javor në Sheshin e Shën Pjetrit, ka thënë se njerëzit që jetojnë në këtë zonë rrezikojnë edhe të vdesin për shkak të thatësirës.

“Fatkeqësisht, lufta (në Ukrainë) ka shpërqendruar vëmendjen dhe burimet, por këto janë qëllimet që kërkojnë angazhimin më të madh – lufta kundër urisë, kujdesi shëndetësor, arsimi. Njerëzit e këtij rajoni, të cilët tashmë jetojnë në kushte shumë të pasigurta, tani janë në rrezik vdekjeprurës për shkak të thatësirës”, ka thënë Papa.

Organizata Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) ka thënë këtë muaj se mund të shpallë zyrtarisht urinë në tetë rajone të Somalisë muajin e ardhshëm nëse bagëtitë vazhdojnë të ngordhin, çmimet e mallrave kryesore rriten më tej dhe ndihma humanitare nuk arrin te më të rrezikuarit.

Papa u tha pelegrinëve dhe turistëve në shesh se donte të tërhiqte vëmendjen për krizën e rëndë humanitare që ka goditur Somalinë dhe disa zona të vendeve kufitare.

Agjencia e OKB-së për refugjatët, UNHCR dhe Këshilli Norvegjez për Refugjatët (NRC) thanë javën e kaluar se rreth një milion njerëz janë zhvendosur brenda vendit në Somali që nga janari.

Agjencitë e OKB-së u bënë thirrje organizatave të tjera për më shumë fonde për të ndihmuar në parandalimin e urisë në Somali, e cila është një nga vendet më të ndjeshme ndaj cenueshmërisë klimatike.

“Shpresoj që solidariteti ndërkombëtar mund t’i përgjigjet me efikasitet kësaj emergjence”, shtoi Papa Françesku. /koha