Papa Françesku përfundon takimet në Qipron Greke

Kreu i Kishës Katolike dhe shtetit të Vatikanit, Papa Françesku përfundoi vizitën 3 ditore në Administratën e Qipros Jugore Greke (GCA), transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas lajmeve në shtypin qipriot grek, mësohet se avioni i Papës në orët e mëngjesit u nis drejt Greqisë nga aeroporti Larnaca.

Për të përcjellë Papën u mbajt një ceremoni ku mori pjesë edhe lideri qipriot grek, Nikos Anastasiadis.

Mbrëmë Papa zhvilloi një takim me liderët fetarë përfshirë edhe imamin Şakir Alemdar të Teqesë Hala Sultan dhe përfaqësues për Qipron Greke të Kryesisë së Çështjeve Fetare të Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC).

Takimin e njoftoi me fotografi nga llogaria e medias sociale, Zyra e Rrugës Fetare në Procesin e Paqes së Qipros nën kujdesin e ambasadës suedeze.

Vizita në Qipron greke e Papa Françeskut është vizita e 35-të gjatë periudhës papale

Më 2 dhjetor në ditën e parë të vizitës Papa Françesku vizitoi kishën katolike Panaya Hariton Maronite, zhvilloi takime me priftërinj, besimtarë dhe përfaqësues të shoqatave fetare si dhe vizitoi në pallatin presidencial liderin qipriot grek, Nikos Anastasiadis.

Ndërsa dje Papa vizitoi kryepeshkopin e kishës ortodokse të Qipros greke, Hristomos 2 dhe më pas mbajti një takim me anëtarët e “Këshillit Sen Sinod” në katedralen Apostle Varnavas.

Më pas mori pjesë në një meshë të madhe në stadiumin GSP në Nikozia dhe pas saj në një meshë tjetër ku morën pjesë emigrantët në kishën, “Timiu Stavru”.

Vizita në Qipron greke e Papa Françeskut është vizita e 35-të gjatë periudhës papale. Brenda këtij viti Papa ka vizituar edhe Irakun, Hungarinë dhe Sllovakinë.

Presidenti Tatar i bëri ftesë Papës

Presidenti i Republikës Turke të Qipros Veriore (TRNC), Ersin Tatar ftoi Papën në TRNC në ditën e parë të vizitës së tij në Qipron greke më 2-4 dhjetor.

Në mesazhin e tij duke nënvizuar se respektojnë të gjitha fetë dhe besimet, Tatar ka thënë: “Është një burim tjetër keqardhjeje që Papa do të vizitojë vetëm Qipron Greke. Në Qipro ka dy popuj të ndryshëm dhe në Qipro nuk jetojnë vetëm qipriotët grekë që janë të krishterë por jetojnë edhe turqit që janë muslimanë. Dhe, kjo është një nga realitetet themelore të Qipros”.

Dje Tatar nëpërmjet Kombeve të Bashkuara përsëriti ftesën për vizitë në TRNC duke i dërguar një letër kreut të Kishës Katolike dhe shtetit të Vatikanit, Papa Françeskut, por që nuk mori përgjigje nga Papa.

Ndërsa zëdhënësi i Zyrës së presidentit turk, Ibrahim Kalin në një intervistë për AA-në, lidhur me vizitën e Papës në Qipron greke, deklaroi se “Siç e dini Papa kur erdhi në detyrë zhvilloi një vizitë në Turqi. Ishte një vizitë e bukur, frytdhënëse. Ka patur edhe vizita të tjera në rajonin tonë. Ndërsa tani po viziton Qipron Greke. Sikur të vizitonte edhe palën e Qipros turke. Ky do të ishte një gjest i bukur, një hap i bukur në aspektin për të treguar integritetin e ishullit dhe për të bërë shembull se çfarë është një qasje e drejtë”.