Papa Françesku ka premtuar drejtësi pas publikimit të një raporti sipas të cilit ish Papa Benedikti XVI nuk kishte vepruar në katër raste të abuzimit seksual të fëmijëve në dioqezën e Mynihut, kur ishte kryepeshkop në vitet 1970 dhe 1980.
Françesku u takua ditën e sotme me anëtarët e zyrës së Vatikanit që trajton rastet e abuzimit seksual.
Edhe pse Papa nuk iu referua raportit tha se Kisha do të vazhdojë të trajtojë skandalin e abuzimit.
“Kisha, me ndihmën e Zotit, po kryen detyrën e saj me vendosmëri të patundur për të vënë drejtësi ndaj viktimave të abuzimit nga anëtarët e saj, duke zbatuar me vëmendje dhe rigorozitet të veçantë legjislacionin kanonik të parashikuar,” tha Françesku në takim.
Françesku vuri në dukje se Vatikani kishte përditësuar së fundmi politikat e tij për të trajtuar në mënyrë më efektive rastet e abuzimit.
“Kjo nuk mund të mjaftojë për të frenuar fenomenin, por është një hap i domosdoshëm për të rivendosur drejtësinë, për të ‘riparuar’ skandalin dhe për të ndëshkuar shkelësin”, tha ai.
Raporti në Gjermani zbuloi se Benedikti XVI, i njohur në atë kohë si Kardinali Joseph Ratzinger, nuk kishte trajtuar si duhet katër raste të klerit abuziv gjatë mandatit të tij si kryepeshkop i Mynihut nga viti 1977 deri në vitin 1982.
Ish Papa Benediktit XVI i del emri në një raport për abuzime me fëmijët
Një nga autorët e raportit tha se neglizhenca e kardinalit përbënte sjellje të pahijshme.
Benedikti, i cili foli për autorët e raportit, është shprehur i mërzitur dhe i turpëruar për skandalin, sipas sekretarit të tij prej shumë kohësh.
Një zëdhënës i kancelarit gjerman Olaf Scholz tha se raporti i avokatëve të Mynihut “tregon qartë dhe në mënyrë tronditëse edhe një herë shkallën e abuzimit dhe shkeljes së detyrës nga personalitetet e kishës”.
“Qeveria po bën thirrje për një hetim të plotë dhe transparent nga kisha,” u tha në një konferencë për shtyp ditën e sotme. /tiranapost







