Paqja në Bosnje është vendosur në humnerë

Dr. Emir Suljagiç

Nëse Bosnja e Hercegovina (BeH) ishte e përfshirë nga kriza vetëm disa javë më parë, në ditët e sotme mund të thuhet se tashmë qëndron në buzë të një humnere. Nga kjo javë, nuk ka dyshim se Milorad Dodiç, politikani kryesor separatist serb i BeH-së dhe nominalisht anëtar i presidencës së shtetit, planifikon të iniciojë dhunë. Në fakt, ai javën e kaluar e caktoi edhe kohën për këtë, kur anëtarët e partisë së tij “Social Demokratët e Pavarur” u mblodhën dhe miratuan disa dokumente që shprehin dhunën në afat të shkurtër. Plani i tij është që parlamenti serb i BeH-së të miratojë disa ligje në mes të nëntorit, duke krijuar institucione paralele. Dokumentet që janë bërë publike, tregojnë se ai jo vetëm që planifikon të krijojë një shërbim inteligjence të drejtuar nga serbët, një autoritet tatimor dhe një forcë të armatosur, por se ai planifikon të heqë Shërbimin Informativ Boshnjak dhe Forcat e Armatosura të BeH-së nga zonat me shumicë serbe “përmes ndërhyrjes së organeve” të entitetit Republika Srpska.

– Krijimi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës është një vijë e kuqe serioze

Ky është kërcënimi më i qartë i dhunës që mund të bëhet. Por, edhe sikur Dodiç të mos planifikonte dhunë, vetë fakti i ringritjes së Ushtrisë Serbe të Bosnjës, e quajtur zyrtarisht “Vojska Republike Srpske” gjatë luftës së agresionit (1992-1995), është një vijë e kuqe serioze.

Para së gjithash, është një institucion që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2007 e shpalli përgjegjës për gjenocidin. Gjenocidi në Bosnje ishte një periudhë e shkurtër dhune intensive gjatë muajve të verës së vitit 1992, me rrethime mesjetare të qendrave të popullsisë si Sarajeva, Bihaç dhe Srebrenica, që zgjatën deri në vitin 1995. Ushtria Serbe e Bosnjës rrethoi kryeqytetin e Sarajevës për tre vite e gjysmë, duke rezultuar në krime kundër njerëzimit. Organizoi kampe ndalimi dhe përqendrimi në vitin 1992 dhe ishte në qendër të dhunës gjenocidale që synonte popullsinë boshnjake dhe kroate të BeH-së. Në korrik të vitit 1995, ishte në qendër të operacionit gjenocidal në Srebrenicë. Eshaloni më i lartë i organizatës ishte i përfshirë drejtpërdrejt në planifikimin dhe ekzekutimin e vrasjes masive të meshkujve të ish Zonës së Sigurt të OKB-së.

Ajo nuk ishte ushtri. Ajo shërbeu si një zgjatje e Ushtrisë Kombëtare Jugosllave (JNA) fillimisht, ndërsa korpusi i oficerëve të saj mbeti në listën e personave që pranonin paga të Jugosllavisë dhe Serbisë deri në vitet 2000. Ishte një makineri për vrasjen e civilëve. Ajo kurrë nuk fitoi një betejë në kushte të barabarta dhe kur barazpesha e fuqisë ndryshoi në vjeshtën e vitit 1995, ajo u shkatërrua.

“Vojska Republike Srpske”, së bashku me Republika Srpska-n, u shpëtuan vetëm nga një gënjeshtër që Richard Holbrooke i tha presidentit boshnjak Alija Izetbegoviç se presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Bill Clinton, i kishte thënë atij se NATO do të bombardonte Ushtrinë Boshnjake nëse do të përpiqej të merrte Banja Lukën, kryeqytetin rebel.

– Boshnjakët janë trajtuar si armiq

Ushtria Serbe e Bosnjës minoi vazhdimisht procesin e paqes gjatë ekzistencës së saj të pasluftës. Ajo ndihmoi në fshehjen e kriminelëve të akuzuar të luftës. Ajo i frikësoi qytetarët joserbë që u kthyen në zonat me shumicë serbe. Ajo spiunoi trupat e NATO-s të vendosura në vend. Nëse rikrijohet, i gjithë rajoni do të bëhet edhe më i paqëndrueshëm. Ajo do të bëhet një platformë anti-NATO, me njëfarë ndihme ruse që pa dyshim do të jetë e afërt, duke ndarë një kufi poroz prej qindra kilometrash me Kroacinë, shtetin fqinj anëtar të NATO-s. Me fjalë të tjera, është një kërcënim sigurie i shkallës së parë, në thelb kundërshtar i interesave perëndimore në Ballkan.

Përpos kësaj, objektivi i saj kryesor do të mbetet prania e vazhdueshme e boshnjakëve. Armiqtë e saj të paracaktuar janë boshnjakët si popull. Duke filluar me të ashtuquajturat “Gjashtë Qëllime Strategjike” të miratuara nga i njëjti kuvend serb i Bosnjës, nga Direktiva nr. 4 e nëntorit të vitit 1992 deri në Direktivën nr. 7; në pak fjalë, urdhri për të vrarë Srebrenicën, ushtria serbe e Bosnjës e trajtoi të gjithë popullsinë boshnjake si armik. Vetëm në Sarajevë, 1.600 fëmijë u vranë gjatë rrethimit, shumë prej tyre nga të shtënat me snajperë. Thjesht nuk mund të pritet që ne të bashkëjetojmë me një institucion të tillë, i përkushtuar vetëm për të sjellë shkatërrimin tonë fizik. Ajo u vërtetua në gjykatë përtej dyshimit të arsyeshëm. Nuk është vetëm një zbukurim.

– Paqja është në rrezik

Milorad Dodiç na ka vendosur të gjithëve në një qoshe. Ka shumë pak hapësirë për manovrim dhe paqja është në rrezik. Ai është inkurajuar nga reagimet e dobëta të SHBA-së dhe BE-së ndaj deklaratës së tij të hapur të dhunës dhe ka çdo nxitje për të vazhduar zbatimin e planit të tij. Ai tashmë është tërhequr nga Marrëveshja e Paqes e Dejtonit, por ende deklarativisht mbështetë atë në mënyrë që të krijojë një situatë të re de facto në terren përpara se ta deklarojë zyrtarisht tërheqjen. Sa herë që ai thotë se nuk dëshiron luftë, ai dhe miqtë e tij blejnë më shumë kohë për të vazhduar ndërtimin e një kapaciteti të ri për të zhvilluar luftë.

Mënyra e vetme për të ndaluar Dodiçin është ta bindësh atë se kostot e planit të tij tejkalojnë përfitimet e mundshme. Kjo është në duart tona. Situata aktuale në fund të fundit ndërthuret në një pyetje: A jemi ne, ata që i mbijetuam sulmit gjenocidal në vitet 1990, të gatshëm të jetojmë, të bashkëjetojmë me faktin që dikush ka aftësinë për ta përsëritur atë? Unë nuk jam. Nuk mendoj se ndonjëri prej nesh është.

*Autori është drejtori i Qendrës Përkujtimore -Srebrenica. Ai është ligjërues honorar në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Universitetit Ndërkombëtar të Sarajevës (IUS). Suljagiç është gjithashtu autor i dy librave: “Pastrimi etnik: Politika dhe dhuna-Fushata serbe për pastrimin etnik në ish-Jugosllavi” dhe “Kartolina nga varri”

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të faqës sonë *