Ballina Artikuj Parimet morale dhe shija estetike

Parimet morale dhe shija estetike

“E bukura duhet të udhëhiqet nga morali, ndërsa morali nuk duhet ta mohojë të bukurën.”
Sipas Malik Bin Nebij, ekziston një lidhje e pandashme ndërmjet parimeve morale dhe shijes estetike. Kjo lidhje nuk kufizohet vetëm te arti apo sjellja individuale, por përcakton karakterin e një kulture, orientimin e një qytetërimi dhe mënyrën e jetesës së një shoqërie.
Disa shoqëri i japin përparësi estetikës, bukurisë dhe kënaqësisë shqisore, ndërsa të tjera e vendosin në qendër moralin dhe etikën. Problemi lind kur njëra prej këtyre vlerave mbizotëron plotësisht mbi tjetrën.
▪️Kultura e ndikuar nga tradita romake i ka dhënë historikisht përparësi shijes estetike, shpesh në dëm të kufijve moralë.
Kur bukuria bëhet kriteri kryesor, arti dhe moda mund të shkëputen nga përgjegjësia etike, duke e kthyer trupin dhe kënaqësinë në qëllim në vetvete. Në këtë rast, arti nuk mbetet vetëm mjet shprehjeje, por mund të shndërrohet në një instrument që ushqen kulturën e konsumit dhe të sensualitetit.
▪️Në anën tjetër, kur një shoqëri e ngurtëson moralin deri në atë masë sa mbyt krijimtarinë, bukurinë dhe ndjeshmërinë estetike, ajo rrezikon të bjerë në stagnim, ngurtësi dhe izolim shpirtëror. Në vend të një qytetërimi të gjallë, lind një shoqëri që humbet aftësinë për të krijuar, për të inovuar dhe për t’u zhvilluar.
(Si pasojë e kësaj, shfaqen dy ekstreme: estetikë pa moral dhe moral pa estetikë).
Një shoqëri e shëndoshë ndërtohet mbi ekuilibrin midis të dyjave: e bukura duhet të udhëhiqet nga morali, ndërsa morali nuk duhet ta mohojë të bukurën.
Në këtë kontekst, mund të krahasojmë zhvillimin e artit në Perëndim dhe në qytetërimin islam. Në periudha të caktuara, arti perëndimor e ka përdorur trupin e zhveshur si simbol të së bukurës artistike, ndërsa arti islam është vetëkufizuar nga norma morale që nuk e lejojnë një ekspozim të tillë. Në të njëjtën frymë, evolucioni i veshjes në Perëndim ka synuar gjithnjë e më shumë shfaqjen veçanërisht trupin e gruas lakuriq, ndërsa në shoqërinë islame veshja është zhvilluar në drejtim të ruajtjes së modestisë dhe dinjitetit.
Megjithatë, çdo qytetërim humbet ekuilibrin kur sakrifikon një sistem vlerash për hir të një tjetri. Bukuria pa etikë çon në zbrazëti morale, ndërsa etika pa ndjeshmëri estetike çon në ngurtësi dhe rënie kulturore. Qytetërimi nuk ndërtohet mbi fitoren e njërës ndaj tjetrës, por mbi harmoninë midis tyre.