Parlamenti Evropian voton kundër ndalesës për dynerin

Parlamenti Evropian (PE) mposhti të mërkurën përpjekjen për të ndaluar përdorimin e aditivit fosfatik i cili llogaritet kryesor në përgatitjen e mishit të dynerit, raporton Anadolu Agency (AA).

Për të miratuar ndalesën, Parlamentit i nevojitej një shumicë absolute e votave, respektivisht 376 vota, por në fund rezultoi se “fitorja e dynerit”, ishte e ngushtë për vetëm tre vota, meqë propozimi për ndalesë mori 373 vota për, 272 ishin kundër, ndërsa 30 eurodeputetë mbetën të përmbajtur.

Vendimi i PE-së është pritur me padurim nga industria e dynerit, prodhuesit e të cilit thonë se fosfati është i domosdodhëm në mënyrë që mishi i ngrirë të mbetet i lëngshëm dhe i shijshëm për konsumatorin.

Kundërshtarët nga ana e tyre pretendonin se fosfatet paraqesin një rezik për shëndetin e konsumatorit, duke shkaktuar sëmundje kardiovaskulare.

“E shpëtuam dynerin tuaj”, thanë nga Partia Popullore Evropiane- Demokristiane, e cila tha më herët se do të votojë kundër ndalesës së fosfateve meqë nuk ka prova që flasin për dëmin që mund ta shkaktojnë.

Socialistët dhe të Gjelbërtit nga ana e tyre zhvilluan një fushatë për ndalesë.

“Kjo është një ditë pikëlluese për të drejtat e konsumatorit”, tha Bart Staes, deputet i të Gjelbërve në PE.

Sikur të ndaloheshin fosfatet, industria do të ishte detyruar të kërkojë alternativa, siç është rasti me hamburgerin në SHBA.