Partia populliste pro-Moskë fiton zgjedhjet në Sllovaki

Robert Fico

Një parti populliste pro-Moskë e drejtuar nga ish-kryeministri Robert Fico, ka fituar zgjedhjet parlamentare në Sllovaki, kur janë numëruar gati të gjitha votat, raporton BBC.

Partia “Smer-SSD” ka një epërsi bindëse prej 24 për qind të votave, ndonëse exit-pollet kishin sugjeruar se do të fitonte partia centriste liberale.

“Smer-SSD” ka premtuar se menjëherë do ta ndalë përkrahjen ushtarake për Ukrainën. Fico ishte detyruar të jepte dorëheqje nga posti i kryeministrit pas vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak në vitin 2018.

Ai pritet t’i nisë bisedimet për formim të koalicionit për qeverinë e ardhshme.

Partia liberale “Progressive Slovakia”, të cilën exit-pollet e kishin parë fituese, ka marrë 17 për qind të votave.

Partia pro-evropiane “Hlas” ka marrë 15 për qind të votave.

Ish-kolegu i Ficos lideri i partisë së majtë Hlas, Peter Pellegrini, ka thënë se do t’i mbajë hapur opsionet për koalicionin e ardhshëm. /koha