Pas armëpushimit në Idlib, mbi 561 mijë civilë kthehen në shtëpitë e tyre

Në Idlib të Sirisë pas hyrjes në fuqi të armëpushimit midis Turqisë dhe Rusisë i nënshkruar më 5 mars 2020, më shumë se 561 mijë civilë sirianë janë kthyer në shtëpitë e tyre, raporton Anadolu Agency (AA).

Drejtori i Koordinimit të Ndërhyrjes Siriane, Muhammed Hallaj i cili punon në të dhënat e migracionit në Siri, për AA tha se vazhdon kthimi i civilëve në shtëpitë e tyre nën atmosferën e sigurisë.

Ai tha se pas armëpushimit, regjimi i Bashar al-Asadit dhe mbështetësit e tij u kthyen në zonat ku jetojnë civilët pasi u ndërprenë operacionet ushtarake. “Që kur armëpushimi hyri në fuqi më 6 mars 2020, 561.746 civilë janë kthyer në shtëpitë e tyre në zonat rurale të Idlibit dhe Halepit”, theksoi ai.

Hallaj shtoi se ata që u kthyen në shtëpitë e tyre kishin shumë nevojë për ndihmë nga organizatat joqeveritare.

Duke paralajmëruar se njerëzit duhet t’i kushtojnë vëmendje mbetjeve të bombave të pashpërthyera në vendet ku kthehen, Hallaj tha se ka pasur viktima dhe të plagosur për shkak të këtyre bombave.

Nëse armëpushimi vazhdon, pritet të kthehen më shumë civilë në shtëpitë e tyre.

Gjendja në Idlib

Turqia, Rusia dhe Irani në mbledhjen e mbajtur në Astana më 4-5 maj të vitit 2017 morën vendim për formimin e 4 “zonave të sigurta” në Idlib dhe provincat e saj fqinje si në (Latakia, Hama, Halep), në veri të Humusit, në lindje të Gutës në Damask dhe në rajonet jugore të vendit (Dara dhe Quneitra).

Regjimi dhe terroristët e mbështetur nga Irani dhe me mbështetjen ajrore të Rusisë, morën 3 nga 4 rajonet dhe u drejtuan drejt Idlibit. Turqia në shtator 2018 në Soçi arriti marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin me Rusinë.

Në maj 2019 Rusia dhe forcat e regjimit filluan operacionet për të marrë të gjithë rajonin ku morën disa vendbanime të mëdha në Idlib.

Ndërkaq, në Moskë më 5 mars 2020 u arrit një marrëveshje e re midis Turqisë dhe Rusisë.

Armëpushimi, të cilin forcat e regjimit e shkelin herë pas here, kryesisht është i mbrojtur. Periudha 2017-2020 është periudha ku gati 2 milionë civilë u detyruan të migrojnë në rajonet afër kufirit me Turqinë si pasojë e sulmeve nga forcat e regjimit dhe Rusisë. /aa