Pas Gjermanisë, reshjet e mëdha kaplojnë edhe Austrinë

Reshjet e rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje në disa qytete në rajonin austriak të Salzburgut, pranë kufirit me Gjermaninë, ndërsa autoritetet lëshuan paralajmërime për banorët, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shiu, i cili përfshiu qytezat si Hallein, Mittersill, Saalfelden dhe Thalgau në Salzburg, ndikoi negativisht në jetën e përditshme të qytetarëve.

Kryetari i Bashkisë Hallein, Alexander Stangassinger, në një deklaratë për shtypin paralajmëroi qytetarët të mos zbresin në bodrumet e shtëpive në qytet, ku shiu i madh shkaktoi përmbytje.

Stangassinger tha se shumë vendbanime u prekën nga përmbytja dhe se qytetarët në zona të rrezikshme u desh të shpëtohen nga helikopterët.

Përmbytjet nuk kanë shkaktuar viktima ose të lënduar, ndërkohë që autoritetet kanë ngritur në portokalli nivelin e rrezikut në zonat e prekura.

Kryeministri Sebastian Kurz gjithashtu tha në Twitter se shiu i madh dhe kushtet e këqija të motit kanë shkaktuar dëme serioze në disa pjesë të vendit dhe se ndihma e nevojshme do t’u jepet personave të prekur.

Reshjet deri më tani kanë shkaktuar dëme të mëdha dhe viktima në Gjermani. /aa