Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas përzemërsisë Trump-Putin fshihet ky pazar i madh…

Pas përzemërsisë Trump-Putin fshihet ky pazar i madh…

Miliardat e Lukoil dhe interesat e biznesmenëve pranë presidentit amerikan

Samiti i Shenzhenit mes Donald Trumpit dhe Vladimir Putinit u shoqërua me një atmosferë dukshëm miqësore mes dy presidentëve. Por përtej deklaratave diplomatike dhe buzëqeshjeve para kamerave, mund të ketë edhe interesa të tjera që ndihmojnë për të kuptuar klimën e afërt mes tyre.

Një prej tyre është marrëveshja për shitjen e aseteve ndërkombëtare të gjigantit rus të naftës Lukoil, në një operacion ku përfituesit kryesorë janë biznesmenë amerikanë me lidhje të drejtpërdrejta me rrethin e Trumpit.

Bëhet fjalë për një pasuri që vlerësohet në më shumë se 20 miliardë dollarë, por që po kalon në duart e blerësve për një shumë reale prej rreth 3 miliardë dollarësh.

Një diferencë e jashtëzakonshme, që ngjan me mënyrën se si oligarkët rusë kanë përvetësuar pasuri të mëdha gjatë dekadave të fundit.

Në paketën e Lukoil përfshihen rafineri në Rumani dhe Bullgari, rrjete shpërndarjeje karburantesh në disa vende të Ballkanit, si dhe rezerva nafte e gazi në Azinë Qendrore, Irak, Meksikë, Kongo, Nigeri, Ganë dhe Egjipt.

Bëhet fjalë për një portofol strategjik, vlera e të cilit është edhe më e madhe në kushtet kur Ngushtica e Hormuzit mbetet pjesërisht e bllokuar.

Megjithatë, asetet u bënë objekt shitjeje pasi administrata Trump vendosi sanksione ndaj pronave të huaja të Lukoil, duke e futur kompaninë në një pozitë ku rrezikonte të humbiste kontrollin dhe vlerën e investimeve të saj jashtë Rusisë.

Kjo i dha Uashingtonit një rol vendimtar në proces, sepse çdo blerës duhej të merrte miratimin amerikan, ndërsa vetëm administrata mund të lejonte zhbllokimin e aseteve.

Në garë për blerjen e aseteve kishin hyrë edhe gjigantë si ExxonMobil dhe Chevron, fondi amerikan Carlyle, si dhe kompani të tjera ndërkombëtare. Por ofertat e tyre nuk arritën të siguronin miratimin e nevojshëm.

Në fund triumfoi konsorciumi i drejtuar nga Todd Boehly, miliarder amerikan dhe financues i fushatave të Trumpit, i njohur më shumë për investimet në sport sesa për ndonjë përvojë në industrinë e naftës.

Në konsorcium bëjnë pjesë edhe banka amerikane Xtellus Partners, kompania nga Emiratet e Bashkuara Arabe Catena Investment Holding dhe Korporata Amerikane e Financimit të Zhvillimit Ndërkombëtar (DFC).

Mekanizmi financiar i marrëveshjes është veçanërisht interesant. Sipas Reuters, konsorciumi ka blerë nga fonde investimi amerikane dhe britanike letra me vlerë të Lukoil, me vlerë nominale rreth 10 miliardë dollarë, por me një çmim shumë më të ulët për shkak të sanksioneve.

Ato janë vlerësuar rreth 30 cent për çdo dollar, çka do të thotë se investimi real për sigurimin e tyre ishte afërsisht 3 miliardë dollarë. Në këmbim, konsorciumi merr asetet ndërkombëtare të kompanisë, portofoli i të cilave vlerësohet rreth 16-20 miliardë dollarë.

Pra, një grup investitorësh mund të përfitojë një portofol gjigant energjetik duke shfrytëzuar zhvlerësimin e letrave me vlerë të shkaktuar pikërisht nga sanksionet amerikane.

Një operacion që ngjan në mënyrë shqetësuese me praktikat e privatizimeve dhe transferimit të pasurive drejt oligarkëve të privilegjuar në Rusinë e viteve ’90. Këtu qëndron edhe lidhja me atmosferën e samitit të Shenzhenit.

Është e vështirë të provohet se marrëveshja e Lukoil ka ndikuar drejtpërdrejt në marrëdhënien personale mes Trumpit dhe Putinit, por ajo tregon se përtej përplasjes publike mes Uashingtonit dhe Moskës ekzistojnë kanale të tjera bashkëpunimi, ku interesat ekonomike mund të luajnë një rol të rëndësishëm.

Në një kohë kur Trumpi e paraqet Putinin si partner me të cilin mund të negociohet dhe shprehet për një zgjidhje të shpejtë të luftës në Ukrainë, një grup biznesmenësh pranë tij po përgatitet të marrë kontrollin e një prej portofolëve më të rëndësishëm energjetikë rusë jashtë vendit.

Madje, sipas Reuters, marrëveshja parashikon që edhe qeveria amerikane të përfitojë një pjesë të fitimeve të ardhshme. Në këtë kontekst, buzëqeshjet dhe afrimiteti mes dy presidentëve në Kinë marrin një dimension tjetër. \tesheshi