Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Pas Zvërnecit alarm edhe për parkun natyror Divjakë-Karavasta!

Pas Zvërnecit alarm edhe për parkun natyror Divjakë-Karavasta!

Projekti sekret për një qytet me 50 mijë banorë brenda parkut ngre pikëpyetje të mëdha

Një denoncim i bërë publik nga ekonomisti shqiptar me banim në Shtetet e Bashkuara, Enea Janko, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi një projekt gjigant që pretendohet se parashikohet të zhvillohet brenda dhe në afërsi të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta.

Sipas tij, dokumente dhe materiale të publikuara së fundmi në librin “Albanian Files” tregojnë se projekti “KINGCOAST ALBANIA” përfshin ndërtimin e një qyteti të ri me rreth 50 mijë banorë, një resort turistik me përmasa të mëdha dhe infrastrukturë shoqëruese në një nga zonat më të mbrojtura dhe më të rëndësishme ekologjike të vendit.

Janko ngre shqetësimin se, ashtu si në rastin e projekteve të debatueshme në Zvernec dhe në ishullin e Sazanit, edhe për Divjakë-Karavastan mungon transparenca publike mbi procedurat, statusin ligjor dhe procesin e vendimmarrjes.

Sipas tij, pavarësisht mungesës së njoftimeve zyrtare për miratimin e projektit, në terren duket se kanë nisur investime infrastrukturore që përkojnë me elementë të parashikuar në masterplanin e publikuar.

Eksperti kërkon një debat të hapur publik dhe sqarime institucionale mbi ndikimin që një zhvillim i tillë mund të ketë në ekosistemin e Divjakë-Karavastasë, duke theksuar se bëhet fjalë për një pasuri natyrore me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ai paralajmëron se çdo ndërhyrje me përmasa kaq të mëdha duhet të shoqërohet me transparencë të plotë, konsultim publik dhe garanci të qarta se interesat e komunitetit lokal dhe mbrojtja e mjedisit nuk do të sakrifikohen në emër të zhvillimit.

Postimi plote i Enea Jankos:

DIVJAKË-KARAVASTAJA NË LIBRIN “”ALBANIAN FILES”

Nga informacioni i publikuar këto ditë për librin “Albanian Files” që kryeministri i Shqipërisë ja ka dhuruar një gazetareje të huaj, rezulton se në dosjen e Shqipërisë së Re është përfshirë edhe masterplani dhe vizioni i zhvillimit të projektit “KINGCOAST ALBANIA”, në Parkun Kombëtar “Divjakë-Karavasta” i cili siç mund të shihet edhe në fotot bashkëngjitu parashikon:

Ndërtimin e një qyteti të ri për një popullsi prej 50 mijë banorë, me një shtrirje rreth 9.4 milion m² ose 940 hektar brënda pyllit të Divjakës dhe në anë të Lagunës së Karavastasë. Qyteti është projektuar me kulla të larta dhe vila banimi, si edhe me ndërtesat e nevojshme administrative.
Ndërtimi i një mega resorti turistik luksoz me një shtrirje rreth 5 milion m² ose 500 ha.
Ndërtimi i dy marinave për parkimin e mjeteve lundruese, që do të shërbejnë edhe për komunikimin nga deti të banorëve të qytetit dhe turistëve.
Katër pika hyrje apo parkime rreth e qartë Lagunës, etj.
Pas dështimit të miratimit dhe ndërtimit në Parkun Kombëtar Divjakë- Karavasta të megaprojektit të propozuar nga kompania e zotit Behgjet Pacolli, projekti i ri KINGCOAST ALBANIA, i cili siç është raportuar nga mediat i përket një investitori të huaj, mesa duket ka marrë edhe miratimin e kryeministrit të Shqipërisë.

Megjithëse nuk ka asnjë njoftim për miratimin zyrtar të këtij projekti sipas procedurave ligjore, defacto në terren duket që ka filluar puna për zbatimin e tij, ku pothuajse ka përfunduar ndërtimi i një shëtitoreje të re prej 20 km rreth e përqark Lagunës së Karavastasë, siç paraqitet edhe në masterplanin e projektit KINGCOAST ALBANIA.

Investimi prej më shumë se 4 milion euro siç rezulton nga njoftimet publike të tenderave të zhvilluara është financuar tërësisht nga buxheti i shtetit shqiptar nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe mbështetur nga Bashkia Divjakë.

Pavarësisht se kompania që qëndron pas projektit KINGCOAST ALBANIA dhe studio projektuese e tij pretendojnë që do të ndërtojnë një qytet (eco city) dhe një resort në harmoni me natyrën dhe jetën e egër, a është e mundur që ndërtimi i një qyteti të ri për 50 mijë banorë dhe i një mega resorti turistik prej qindra e ndoshta mijëra ndërtesa të larta dhe të ulta si edhe infrastruktura përkatëse nëntokësore dhe mbitokësore të mos e dëmtojnë natyrën dhe jetën e egër të Parkut Kombëtar Divjakë-Karavasta??!!

Duke ditur që ky park është padyshim ekosistemi më i rëndësishëm natyror në Shqipëri dhe një nga më të rëndësishmit në Europë, i mbrojtur jo vetëm nga legjislacioni i shtetit shqiptar, por edhe nga legjislacioni europian dhe konventat ndërkombëtare, si edhe i konsideruar gjerësisht si simboli i natyrës shqiptare, me vlerat e të cilit krenohemi botërisht, a është e llogjikshme dhe normale që të mendohet dhe aq më shumë të lejohet nga drejtuesit e shtetit shqiptar, rreziku i shkatërrimit pa kthim të kësaj pasurie kombëtare??!!

Ndërkohë që nga Bashkia Divjakë, megjithëse një nga zonat më potencialet zhvillimore më të larta në Shqipëri, janë larguar tashmë jashtë vëndit mbi 30 mijë qytetar ose rreth 60 % e popullsisë gjithsej të bashkisë sipas rregjistrit të gjëndjes civile, duke mbyllur derën e mijëra shtëpive dhe vilave që megjithëse i ka kushtuar banorëve të Divjakës miliarda euro vazhdojnë të amortizohen nga mungesa e përdorimit, askush as nga qeveria dhe as nga bashkia nuk mendon sesi të bëjnë të mundur shndërrimin e qytetit të Divjakës dhe fshatrave të bukur të kësaj bashkie në një zonë me turizëm të qëndrueshëm në shërbim të rritjes së mirëqënies së banorëve të saj, për të ndaluar edhe largimin e përditshëm të tyre që vazhdon me ritme të frikëshme!

Askush nuk mendon për ndërtimin e institucioneve artistike, kulturore dhe sportive, si muzeume historike, arkeologjike apo të natyrës, galeri apo muze të artit, teatro apo kinema, biblioteka, salla apo fusha sporti, etj., të domosdoshme jo vetëm që fëmijët dhe banorët e Divjakës të bëjnë një jetë normale, por edhe për të tërhequr dhe mbajtur turistët vëndas dhe të huaj, të cilët aktualisht e vizitojnë Divjakën në mënyrë ditore, vetëm për të shijuar bukuritë mahnitëse natyrore dhe kulinarinë e pasur të saj.

Kujt do ti shërbente zhvillimi i projektit gjigand KINGCOAST ALBANIA, realizimi i të cilit do të kushtonte disa miliarda euro apo dollarë???

Çfarë do të përfitoj shteti shqiptar, qytetarët shqiptar, komuniteti lokal, etj?

Kush parashikohet që të jenë 50 mijë banorët e qytetit të ri që parashikohet të ndërtohet??

Me çfarë aktiviteti do të merren për të jetuar banoret e rinj të këtij qyteti të ri?

Nga buron siguria e një apo disa investitorëve për të ndërtuar një qytet të ri dhe për ta shitur atë e fituar prej këtij investimi???

A do të shfrytëzohen pasuritë e vëndit që shqiptarët sot dhe brezat e ardhëshëm të ndërtojnë jetën dhe mirëqënien e tyre në vëndin e vetë, duke u ndjerë krenar dhe plot dinjitet për vëndin dhe përkatësinë tonë si shqiptar, apo do të lejojmë që të huajt të na zëvëndësojnë në tokën tonë? \tesheshi