PD nis reformimin/ Do mblidhet kuvendi kombëtar për ndryshime statusore dhe për zgjedhje

Humbja e zgjedhjeve i hapi rrugë reformimit të thellë të partisë më të madhe në opozitë, proces i cili parashikon jo vetëm zgjedhjen e organeve te reja drejtuese para mbarimit te mandatit zyrtar, por edhe ndryshime statutore.

“Ne jemi të vetëdijshëm që ato që janë në dorën tonë për t’u përmirësuar duhen të përmirësohen një orë e më parë, sepse çdo ditë e humbur, që nuk përdoret për përsosjen e PD, është një ditë pushtet që i dhurojmë armikut të demokracisë”.

Demokratet brenda një kohë të shkurtër pritet ti drejtohen sërish kutive te votimit. Kryesia vendosi të thërrasë mbledhjen e e Kuvendit Kombëtar me 17 Korrik për të zgjedhur para kohe Këshillin e ri Kombëtar që aktualisht drejtohet nga Bujar Nishani. Ky organ me pas do te zgjedhe Kryesine, nënkryetarët dhe sekretariatet.

“Çdo hap që do të bëjmë deri në përfundimin e analizës dhe mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, duhet të kemi parasysh që demokratët na kërkuan vazhdimin e betejës. Detyra jonë është të përgatitemi me të gjitha format dhe mjetet për këtë përballje nuk mund të presin deri në 2025”.

Ndryshime do te ketë edhe ligji themeltar i partisë. Kryesia vendosi ngritjen e një komisioni të përhershëm ku bëjnë pjese drejtuesit me te lartë të partisë te cilët brenda datës 10 Korrik do te paraqesin propozime për statutin e ri. Sfidanti i Bashës për kreun e PD-së Fatbardh Kadilli i ka idetë e qarta në atë çfarë kërkon.

“Demokratizim më i thellë i partisë, shpërthim i skemës së ngushtë që kemi për seksionet dhe mënyrën si funksionon struktura e partisë, duke krijuar hapësirë për çdo iniciativë politike, rishikimi i raporteve me organizata partnere dhe përcaktimin e kauzave kryesore, rishikimi Kodit Zgjedhor, i Kushtetutës dhe Reforma në Drejtësi”.

Reformimi i Partisë Demokratike nis me analizën e rezultatit te 25 Prillit nga qeliza bazë deri në nivel qarku. Përgjegjësitë e humbjes dalin në vjeshte. Aty ku rezultati është i dobët do të ketë edhe ristrukturim te organeve vendore te partisë. /tch