Pentagoni do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin për të gjithë ushtarakët amerikanë

John Kirby

Pentagoni tha të hënën se do ta bëjë të detyrueshme vaksinën kundër koronavirusit për shërbyesit ushtarakë, tani që vaksina Pfizer/BioNTech ka marrë miratimin e plotë nga Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby, kujtoi se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka premtuar qysh në fillim të këtij muaji se do të marrë masa, pasi FDA-ja ta miratojë plotësisht vaksinën.

Kirby tha se udhëzimet janë duke u zhvilluar dhe se afati kohor do të publikohet në ditët në vijim.
Vaksina Pfizer/BioNTech është miratuar për përdorim emergjent qysh në dhjetor, ndërsa të hënën ka marrë miratimin e plotë nga FDA-ja.

Në një memorandum më 9 gusht, Austin ka thënë se do të kërkojë miratimin e presidentit amerikan, Joe Biden, për ta bërë vaksinën të detyrueshme jo më vonë se në mes të shtatorit, ose menjëherë pas licencimit nga FDA-ja.

Pentagoni ka thënë se ushtria ka mjaft vaksina për t’i përmbushur kërkesat.

Sipas Departamentit amerikan të Mbrojtjes, deri më 18 gusht, më shumë se 1 milion anëtarë të shërbimit ushtarak amerikan janë vaksinuar plotësisht.

SHBA-ja ka në përdorim tri vaksina kundër koronavirusit: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Johnson&Johnson.

Kirby tha se vendimi i Pentagonit do të vlejë vetëm për vaksinën Pfizer/BioNTech. /tiranpost