Për një sociologji islame

Hoxhë Justinian Topulli

Njerëzit janë shumë kureshtarë të mësojnë origjinën dhe të vërtetën e ngjarjeve të përditshme, që tërheqin vëmendjen e njerëzve dhe të mediave, edhe pse ato mund të jenë pa vlerë, por janë shumë pak ose aspak të interesuar për të njohur origjinën, historinë dhe të vërtetën e ideve, tek të cilat burojnë pothuajse të gjitha ndryshimet dhe ngjarjet e mëdha që ndodhin në botë. Më lehtë e kanë t’iu besojnë teorive dhe spekulimeve konspirative, shpesh edhe të palogjikshme, sesa të njohin ligjet, rregullat dhe mënyrën sesi funksionojnë shoqëritë njerëzore.
Pjesë e kësaj patologjie janë bërë -për të të ardhur keq në fakt,- edhe muslimanët, pikërisht ata që në Librin e Zotit të tyre gjejnë shpeshherë të flitet për historitë e popujve të shkuar, pikërisht për të kuptuar sesi funksionon shoqëria njerëzore dhe sesi rrjedh historia dhe zhvillohen ngjarjet. Por Historia është edhe dije, përmes së cilës studiohen ndryshimet dhe zhvillimet e shoqërive njerëzore, ndërsa me analizimin e dukurive dhe aspekteve të ndryshme të jetës së shoqërisë njerëzore, merret Sociologjia.
Allahu në Kuran, pasi përmend ngjarje të kohëve të shkuara apo edhe të kohës së zbritjes së Kuranit, disa herë përmend faktin se këto ndodhi, apo kjo dhe ajo vijimësi ngjarjesh dhe përfundimesh janë pjesë e asaj që quhen si ‘suneh’ (‘sunen’ në shumës), të cilën Ai ia atribuon edhe Vetes, si vijimësi e përgjithshme, përmes së cilës përmbushet caktimi i Tij midis njerëzve. Fakti që Allahu disa herë e shoqëron këtë me shprehjen “se nuk do të gjesh në sunetin e Allahut ndryshim”, tregon se kemi të bëjmë me ligje hyjnore që veprojnë në mënyrë të pandryshueshme për shoqëritë njerëzore. Kjo do të thotë se shoqëritë njerëzore ndryshojnë në bazë të ligjeve sociale, të cilat mund të studiohen dhe njihen nga njerëzit.
Sigurisht që dinamikat e ndryshimeve të shoqërive njerëzore janë shumë më komplekse dhe të ndërlikuara sesa ato të botës materiale, sepse ndër të tjera, njerëzit janë qenie inteligjente që veprojnë përmes zgjedhjes së tyre të lirë, në dallim me krijesat jofrymore, që i nënshtrohen tërësisht ligjeve të fizikës dhe agjentëve të mjedisit rrethues, por pavarësisht kësaj, sjellja e shoqërive njerëzore në përgjithësi është e parashikueshme dhe e kuptueshme, përderisa ajo zhvillohet në bazë të këtyre ligjeve shoqërore, apo suneteve të Zotit.
Muslimanët i sheh shpesh të krenohen me Ibn Haldunin, që ka jetuar shekuj më parë, si themeluesin e parë të sociologjisë, por ndërkohë kjo qe një dije, e cila nuk pati pas tij dijetarë që ta zhvillonin atë më tej, edhe pse shpjegime për shoqërinë dhe elementë të kësaj disipline i gjen të shpërndara tek dijetarë të ndryshëm. Ibn Halduni studioi dhe foli për shoqëritë tradicionale të kohës së tij dhe në veçanti për ndryshimet që pësonte një shoqëri nomade (beduine), ndërkohë që shoqëritë e sotme moderne urbane dhe industriale ndryshojnë shumë nga shoqëria, për të cilën u shpreh Ibn Halduni.
Padyshim që disa ligje shoqërore mbeten të njëjta për çdo shoqëri, por ka po ashtu edhe dallime të rëndësishme mes tyre, kështu që muslimanët nuk duhet të ngelen peng i studimit të shoqërive të tyre dhe të të tjerëve, vetëm përmes asaj që ofrojnë publikimet e të tjerëve jashtë tyre, apo ta injorojnë këtë dije, siç bëjnë më së shumti në fakt, me pretendimin e thjeshtuar, shpesh edhe arrogant, se e dinë shumë mirë sesi funksionon shoqëria dhe si ndryshon ajo!
Ajo që u takon mbartësve të mesazhit përfundimtar të Zotit, është të mos injorojnë, refuzojnë dhe nënvleftësojnë asnjë dije të dobishme që i shërben së mirës, përkundrazi, kanë obligimin ta vendosin atë në shina të shëndosha dhe ta zhvillojnë atë, përmes së vërtetës që na ka dhënë Zoti, në vend që t’i shpjegojnë ngjarjet dhe zhvillimet në mënyrë tepër sempliste, vetëm përmes dy-tre ajeteve dhe haditheve të shpjeguara thatë, ndërkohë që nëse hulumtohet me seriozitet, do të shihet se ka me dhjetëra ajete dhe hadithe, që shërbejnë për të shpjeguar me detaje larminë e jetës sociale dhe fenomeneve njerëzore.
Dijetarët e së drejtës islame (Sheriatit), përmes fikhut, kanë zhvilluar ndër shekuj një jurisprudencë tepër të gjerë e të begatë islame, e cila iu jepte dhe iu jep përgjigje juridike islame mjaft problematikave njerëzore, në kohë dhe vende të ndryshme, kështu që nuk është aspak e pamundur të zhvillohet një sociologji islame, apo ndryshe një dije mbi shoqërinë njerëzore, e cila përpiqet të njohë me detaje sunetet e Zotit mbi shoqëritë, duke kuptuar dhe deduktuar nga vahji (shpallja) dhe nga realiteti historik këto ligje shoqërore, mbi të cilat zhvillohen ndryshimet sociale dhe historike të njerëzve.
Që kjo është e domosdoshme të ndodhë një ditë, nuk e vëmë aspak në dyshim, por ajo që të vjen keq është ngurrimi i shumë prej brezit të sotëm, për të kuptuar rëndësinë e kësaj dijeje, që nesër pa mëdyshjen më të vogël, pakkush do ta vërë në dyshim rëndësinë e saj. Por edhe kjo është sunet i Zotit, përndryshe muslimanët nuk do të kishin nevojë që Allahu t’iu dërgonte herë pas here dhe shekull pas shekulli, njerëz që iu ripërtërijnë atyre fenë, dijen dhe besimin.

Nga: Hoxhë Justinian Topulli