Përçahet opozita turke, tërhiqet një prej partive

Meral Aksener

Partia e krahut të djathtë IYI në Turqi u tërhoq nga aleanca kryesore e opozitës duke hedhur poshtë propozimin e kësaj të fundit për të caktuar kandidatin në zgjedhje dhe duke dobësuar në këtë mënyrë sfidën ndaj Presidentit Tajip Erdogan.

Ndarja publike, pas muajsh mosmarrëveshjeje, erdhi pasi Erdogan tha këtë javë se zgjedhjet do të mbaheshin më 14 maj, pavarësisht kritikave për reagimin e qeverisë ndaj tërmeteve shkatërruese të muajit të kaluar.

Duke folur në selinë e partisë në Ankara, udhëheqësja e Partisë IYI, Meral Aksener tha se pesë partitë e tjera në aleancë kishin paraqitur Kemal Kilicdaroglu, kreun e Partisë Republikane Popullore (CHP), si kandidatin e tyre presidencial.

Ajo tha se partia e saj, e dyta më e madhe në aleancë, nuk do të përulej para presionit për ta pranuar atë. Në vend të kësaj, ajo propozoi si kandidatë kryebashkiakët e Stambollit dhe Ankarasë, të dy nga CHP, duke thënë se sondazhet e opinionit treguan se ata do të fitonin me një diferencë të madhe kundër Erdoganit.

Prej ditës së djeshme, “Tavolina e Gjashtës” (partitë opozitare) ka humbur aftësinë për të pasqyruar vullnetin e popullit në vendimet e saj”, tha ajo duke sinjalizuar daljen e partisë së saj nga aleanca.

“Nuk është më një platformë përmes së cilës mund të diskutohen kandidatët e mundshëm, por një tryezë që punon për të vulosur një kandidat të vetëm”, tha ajo.

Aksener tha se kombi po i bënte thirrje kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu dhe kryebashkiakut të Ankarasë Mansur Yavas të bënin detyrën e tyre duke sugjeruar që ata të dalin si kandidatë. /a2