Punimet e asfaltimit në lidhjen rrugore me Mazgitin kanë përfunduar dhe segmenti është hapur për qarkullimin e automjeteve, ka bërë të ditur Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.
Sipas Ministrisë, ndërhyrja është realizuar si masë e përkohshme për të përmirësuar kushtet e qarkullimit dhe për të rritur sigurinë në këtë segment rrugor, deri në përfundimin e analizave teknike për zgjidhjen afatgjatë të problemit me ujërat nëntokësore, të cilat po dëmtojnë trupin e rrugës.
“Siç edhe ishte planifikuar, punimet e asfaltimit në lidhjen me Mazgitin kanë përfunduar dhe segmenti tashmë është hapur për qarkullimin e automjeteve”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Ndërkohë, gjatë ditëve në vijim pritet të përfundojë edhe vendosja e sinjalizimit horizontal, me ç’rast do të kompletohen të gjitha punimet në këtë fazë të projektit.




