Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Përleshje në veri të Etiopisë, forcat e Tigray përplasen me ushtrinë

Përleshje në veri të Etiopisë, forcat e Tigray përplasen me ushtrinë

Fronti Popullor për Çlirimin e Tigrayt (TPLF), grupi rebel në qendër të luftës së Etiopisë të viteve 2020-2022, tha të mërkurën se kishte nisur sulm ndaj ushtrisë etiopiane në veri të vendit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, qeveria rajonale e Tigrayt, e udhëhequr nga TPLF-ja, tha se forcat federale kishin nisur një sulm të mërkurën dhe se forcave të saj u ishte dhënë urdhër të hynin në atë që e përshkroi si luftë “mbrojtëse”.

Grupi pretendon se forcat federale kishin nisur ofensivë në shkallë të gjerë nga disa drejtime, duke përdorur njësi këmbësorie dhe të mekanizuara, si dhe dronë dhe mjete të tjera ajrore. Mediat lokale raportuan për përleshje mes forcave federale dhe luftëtarëve të lidhur me TPLF-në në pjesë të rajoneve Tigray, Amhara dhe Afar.

Getachew Reda, ish-drejtues i administratës së përkohshme të Tigrayt, i cili tani shërben si këshilltar i qeverisë federale, akuzoi udhëheqjen e TPLF-së se kishte nisur sulm në shkallë të gjerë ndaj pozicioneve qeveritare në Afar dhe Amhara.

Duke folur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në New York të mërkurën, presidenti etiopian Taye Atske Selassie tha se vendi i tij kishte treguar “përmbajtje të jashtëzakonshme” pavarësisht asaj që ai e përshkroi si ndërhyrje nga “elementë armiqësorë”.