Përmbytet anija me muslimanë nga Mianmari, 23 të vdekur

Të paktën 23 persona kanë vdekur nga përmbytja e gomones me të cilën kishin udhëtuar refugjatët muslimanë Rohingya, të cilët po iknin nga Mianmari për në Bangladesh, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtari policor Moinuddin Khan tha për mediat se fatkeqësia ka ndodhur në lumin Naf, dhe se ekipet për shpëtim deri më tani kanë nxjerrë nga lumi 23 trupa të pajetë të refugjatëve.

Shumica e viktimave janë fëmijë dhe ekipet e shpëtimit po kërkojnë edhe 14 persona të tjerë që mungojnë.

Lumi Naf është një nga rrugët kryesore me të cilat muslimanët nga Arakani i Mianmarit ikin në Bangladesh. Për shkak të kushteve të këqija të motit dhe anijeve jo të përshtatshme për të lundruar, ndodhin aksidente të shpeshta tragjike.

Ndryshe, mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pohon se është duke luftuar kundër militantëve të armatosur.

Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjen e organizatave ndërkombëtare. /Mesazhi/