Picë e shpejtë me djathë dhie

Përbërësit për 1 picë:
150 g miell i Tipit 00
1/2 gotë kos i bardhë, mundësisht i trashë
pak kripë
1/2 lugë vaj ulliri
5 g sodë për torta të kripura ose për të ëmbla, pa vanilje
pak ujë i vakët, sa të mblidhet brumi
pak rozmarinë e thatë, e grirë imët – nëse ju pëlqen.

Për mbushjen mund të vendosni sipas shijeve personale ose si me poshtë:
100 g djathë dhie i freskët
1/2 gotë kos i bardhë – mundësisht i trashë
1 lugë e gjysmë mjaltë
7/8 kokrra domate qershiza
5/6 kokrra ullinj të zinj
kripë dhe piper sipas nevojës

Përgatitja: Ndezim paraprakisht furrën në temperaturën 180° C. Në një tas, përziejmë miellin, kripën, sodën, vajin e ullirit, kosin dhe rozmarinën. Shtojmë ujë të vakët derisa të shohim që kemi një brumë që nuk ngjit. E punojmë brumin pak me dorë, e vëmë në një tas, e mbulojmë me plastmasë kuzhine dhe e lëmë të pushojë 10 minuta në temperaturë ambienti.
Përgatisim mbushjen: përziejmë në një tas kosin me djathin me pirun, shtojmë mjaltin, kripën dhe piperin. Marrim brumin dhe e hapim të hollë me petës, e vëmë në tavën ku kemi shtruar letër furre dhe shpërndajmë sipër mbushjen duke lënë një bord anësor 1 cm të palyer. Shpërndajmë domatet të prera në mes dhe ullinjtë në copa. E vëmë të piqet për 15/20 minuta ose derisa të shohim që ka marrë ngjyrë në anësoret e saj. Ju bëftë mirë!