Policia arreston drejtorin financiar të AKPM-së

Policia e Krimeve të rënda ka arrestuar Mendim Sojevën, drejtor financiar në Agjencinë Kosovare për Produkte Mjekësore nën dyshimin e keqpërdorimit të pozitës
zyrtare.

“Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion gjegjësisht, Sektori për Hetimin e Korrupsionit, nën dyshime mbi keqpërdorime financiare të avanceve në Ministrin e Shëndetësisë-konkretisht në Agjencionin Kosovar për Produkte Medicinale, sot me datë 28.03.2018, pas zhvillimit të veprimeve hetimore intensive, kanë arrestuar personin e dyshuar: M.S i lindur i 1983, mashkull, kosovar, shqiptar, i cili dyshohet se e ka keqpërdorur buxhetin e paraparë për avanset e udhëtimeve jashtë vendi, duke bërë tërheqje të parave në emër të udhëtimeve zyrtare të cilat udhëtime dyshohet që nuk kanë ndodhur fare”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se dyshohet se shuma e parave të keqpërdorura është e konsiderueshme.

“Me këto veprime i dyshuari dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare ose autorizimit” nga neni 422 KPRK-ës dhe Mashtrimi në Detyre nga neni 426 i KPRK-së. Me aktvendim të prokurorit kujdestar të PTH- Prishtinë i dyshuari ndalohet për 48 orë”, thuhet në njoftim.