Ballina Lajmet Kosovë Policia jep detaje rreth arrestimit të Sadri Ramabajës

Policia jep detaje rreth arrestimit të Sadri Ramabajës

Ish-kandidati për deputet i “Vetëvendosjes”, Sadri Ramabaja, i cili është i dyshuar i Prokurorisë Speciale të Kosovës për përgatitje të vrasjeve të përfaqësuesve të lartë, është arrestuar nga Policia Shqiptare në Durrës duke dashur që të udhëtojë për në Itali.

Ai është zënë në Durrës nga Policia Kufitare Shqiptare, e cila mësohet se ka kërkuar prej autoriteteve kosovare ndihmë për konfirmimin e identitetit të tij. Ramabaja, sipas policisë, kishte provuar që të udhëtonte me traget për në Itali.

Ramabaja ishte ftuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës si i dyshuar për veprën penale “Vrasje e përfaqësuesve të lartë të Republikës së Kosovës”, që këtë të hënë, më 9 tetor, në orën 10:00, të paraqitej si i pandehur në Prokurorinë Speciale.

Policia e Kosovës e ka konfirmuar se Ramabaja është ndaluar dje në pikën kufitare të Durrësit. “Mund të konfirmojmë se personi me inicialet S. R., shtetas i Republikës së Kosovës, është ndaluar mbrëmë nga autoritetet e Shqipërisë në pikën kufitare dalëse të Durrësit.

Këto informacione Policia e Kosovës i ka siguruar nga autoritetet e Shqipërisë, me të cilët është në kontakt për procedura të mëtutjeshme lidhur me rastin”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

Ramabaja dyshohet se ka pasur pasaportë dhe leje qëndrimi franceze të falsifikuar. E Policia e Shqipërisë ka bërë të ditur se Ramabaja ka tentuar të hipë në tragetin Durrës-Itali me dokumentin e falsifikuar “Leje qëndrimi franceze”.

E dokumenti që Ramabaja ka tentuar të kalojë nga Durrësi në Itali ishte leja e qëndrimit të anëtarit të lëvizjes “Vetëvendosje” dhe mikut të tij, Xhevat Bislimi. Vetë Bislimi e ka pranuar se është intervistuar nga Prokuroria Speciale lidhur me dyshimet e organizatës “Syri i Popullit”, kurse akuzon pushtetarët se “Syri i Popullit” është sajuar nga ta për të bërë fushatë dhe për të terrorizuar nga pak.

“Po, kjo është e vërtetë, kam bërë edhe shkrim para një muaji dhe është botuar, kam sqaruar çdo gjë. Kjo është një organizatë e sajuar realisht prej vetë pushtetarëve dhe vetë këtyre që e kanë kapur shtetin. Ajo organizata s’ka të bëjë as me mua, as me Sadri Ramabajën, ajo është një sajesë e këtyre pushtetarëve për t’i implikuar kundërshtarët e tyre politikë, për të bërë fushata që të na terrorizojnë sa të munden kështu. Po ne jemi mësuar të përndjekur përpara e tash e se kemi fort gajle”, ka thënë Bislimi.

Ramabaja dyshohet se është përfshirë në grupin që plagosi ish-anëtarin e Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë, Azem Vllasi, i cili tash është avokat. Plagosja e tij kishte ndodhur më 13 mars të këtij viti. I dyshuari kryesor për tentimvrasjen e Vllasit është Murat Jashari, një shqiptar që jetonte në Zvicër. Kurse Sadri Ramabaja ditë më parë përmes një shkrimi kishte thënë se këto akuza ndaj tij janë vetëm gjueti shtrigash dhe asgjë tjetër. “Se UDB-ja është instaluar në piramidën e sistemit tone të sigurisë pata deklaruar në një konferencë për medie, pasi Policia na kishte arrestuar katër veta menjëherë pas demonstratës që kishte organizuar LVV-ja më 1 shtator 2016.

Edhe më 1 shtator të arrestuarit ishim po nga mileu i qëndresës kundër Serbisë”, ka kishte shkruar Ramabaja. Duket qartë se kjo gjueti shtrigash ka karakterin e hakmarrjes politike nga ana e Serbisë, ndërkaq marionetat e instaluara në krye të Republikës dhe të Prokurorisë Speciale, si puna e Sylë Hoxhës, e bëjnë punën që u urdhërohet”, kishte shkruar Ramabaja ndër të tjera