Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se vendi i tij për arsye të sigurisë kombëtare kundërshton fuqimisht zgjidhjet që pranojnë emigrantë të paligjshëm, transmeton Anadolu.
Morawiecki, i cili mori pjesë në Takimin e 3-të të Komunitetit Politik Evropian (EPC) që mbahet në qytetin Granada të Spanjës e cila ka presidencën e radhës në BE, tha se do të mbrojnë të drejtën e sigurisë së polakëve.
Ai theksoi se ka informuar shumë liderë të shteteve se Polonia nuk do të pranojë emigrantët e parregullt në mënyrë të detyruar. “Duam paqe dhe siguri. Polonia për arsye të sigurisë kombëtare kundërshton fuqimisht zgjidhjet që pranojnë emigrantë të paligjshëm”, theksoi Morawiecki.
Kryeministri polak tha se shpërndarja e emigrantëve të parregullt nuk është e mundur pa pëlqimin e vendeve anëtare të BE-së.
“Evropa ndodhet përballë një zgjedhjeje themelore në çështjen e pranimit apo jo të emigracionit të paligjshëm masiv. Polonia ndaj kësaj vendos veto të fuqishme. Këtë ia thash dje edhe kryeministrave dhe shumica e tyre janë në të njëjtën mendim me mua. Kanë frikë nga ky diktim që u vjen nga Brukseli dhe Berlini. Ne nuk kemi frikë nga ky diktim”, tha Morawiecki.
Qeveria polake, përpara zgjedhjeve parlamentare që do mbahen në vend më 15 tetor del në pah me reagimet e saj ndaj politikave të BE-së për emigracionin, ndalimin e hyrjes së drithit ukrainas në tregun e vendit dhe me deklaratat e saj kundër Gjermanisë.
Morawiecki, i cili që në fillim të qeverisjes së tij potencoi se është kundër planit të BE-së për sistemimin e emigrantëve, ka njoftuar se me zgjedhjet e përgjithshme që do mbahen më 15 tetor do të zhvillohet edhe referendum në të cilin një nga 4 pyetjet që do t’u drejtohet qytetarëve është “A e mbështesni pranimin e mijëra emigrantëve të paligjshëm në përputhje me mekanizmin e detyrueshëm të emigracionit që imponohet nga burokracia evropiane?”.
