Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Polonia: Raketat Patriot u dërguan në Ukrainë me kërkesë të NATO-s dhe...

Polonia: Raketat Patriot u dërguan në Ukrainë me kërkesë të NATO-s dhe ushtrisë amerikane

Ministri polak i Mbrojtjes, Wladyslaw Kosiniak-Kamysz, ka bërë të ditur se dhurimi i fundit nga Polonia i raketave interceptuese Patriot për Ukrainën u bë me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte dhe komandës ushtarake amerikane në Evropë, transmeton Anadolu.

“Me kërkesë të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s dhe forcave amerikane në Evropë, pas konsultimeve me grupin e përdoruesve, u mor vendimi për të dhuruar raketa Patriot”, u tha Kosiniak-Kamysz gazetarëve në Varshavë.

Ministri polak tha se numri i raketave të transferuara përfaqësonte vetëm “një pjesë të vogël” të kapaciteteve të Polonisë dhe nuk do të ndikojë në gatishmërinë e mbrojtjes ajrore të vendit.

Ai shtoi se vendimi ishte diskutuar me zyrën e presidentit dhe Byronë e Sigurisë Kombëtare të Polonisë dhe “nuk erdhi si surprizë” për asnjërin prej këtyre institucioneve.

Ky sqarim erdhi pas kritikave nga aleatët e presidentit Karol Nawrocki, të cilët vunë në pikëpyetje vendimin e qeverisë për t’i dërguar Ukrainës raketa Patriot, në një kohë kur sulmet ruse me raketa dhe dronë vazhdojnë.

Kosiniak-Kamysz gjithashtu hodhi poshtë raportimet se Polonia ka hequr dorë nga vendi i saj në radhën për prodhimin e raketave të reja Patriot në SHBA në favor të Ukrainës.

“Nuk na është kërkuar një gjë e tillë dhe as nuk kemi marrë një vendim të tillë”, tha ai.