Porosia fisnike nga shtëpia e lashtë

Prof. Driton Arifi

Në viset e largëta e të thella të shkretëtirës përcëlluese arabe, diku në mes ca gurëve të thepisura e atyre kodrave të egra e shtatlarta, u ndërtua një Shtëpi e Shenjtë, që synonte të freskonte shpirtin e mekur njerëzor me puhizën e njomë të besimit të kulluar monoteist. Me urdhër të Zotit, e në Mekën e bekuar, u ngrit Shtëpia e Lashtë – Qabeja, e cila që atëherë e gjer më sot, vazhdon të bekojë njerëzimin me mesazhet e pavdekshme të fesë së zgjedhur nga Zoti Fuqiplotë.
Ajo ishte dhe mbetet faltorja e parë e monoteizmit në tokë. Këto fakte na i rikujtoi për ne Vetë Allahu në Librin e Tij fisnik kur tha: “Shtëpia faltore (xhamia) e parë e ndërtuar për njerëz është ajo në Bekë (Mekë), e dobishme dhe udhërrëfyese për mbarë njerëzimin. Aty ka shenja të qarta (të madhërisë së Allahut), (aty gjendet edhe) Mekami – vendi i Ibrahimit. E kush hyn në të, ai është i sigurt … “. (Ali Imran, 97).
Në gjirin e atyre njerëzve që më shumë se kushdo tjetër kishin harruar parimet e besimit në Një Zot, u ngrit Shtëpia e Zotit, që synonte të flakte përgjithmonë muzgun e frikshëm të idhujtarisë e të injorancës, nga ajo shoqëri nomade arabe në fillim, por pastaj edhe nga i tërë njerëzimi pa dallim.
Me gjithë faktin se në një periudhë jo aq të shkurtër historike, para ardhjes së Muhamedit (paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi të), brenda Qabesë së Bekuar u vendosën mizorisht shumë idhuj nga politeistët e lajthitur, që i krijonin ortakëri të shpifur hyjnisë së Zotit të Vërtetë, megjithatë Vullneti Hyjnor i Zotit të asaj Shtëpie nuk lejoi që aty të lëshonte edhe më tej rrënjë idhujtaria dhe besimi i devijuar njerëzor. Qabeja e Bekuar, që nga çlirimi i Mekës e këndej, do të kthehej përfundimisht nën kujdesin e besimtarëve myslimanë. Atyre që besuan dhe jetësuan mesazhet hyjnore të zbritura nga Allahu për njerëzimin në atë vend. Ajo i kthehet misionit të vet të përvijuar nga Zoti, për të mos mbetur më asnjëherë në dorë të “harrestarëve” të monoteizmit të mirëfilltë.
Atë Shtëpi të Bekuar, Allahu na e bëri obligim që të vizitojmë, sipas mundësive, së paku një herë në jetë. Të shkojmë atje që ta kryejmë ritualin islam më përbashkues e më madhështor mbi faqen e dheut – haxhin. Kështu, secili nga që ka mundësi të marrë këtë udhë, në shenjë të nënshtrimit e përgjigjes ndaj thirrjes së Tij hyjnore ia mësyjmë Mekës duke brohoritur fjalët “Lebbejke Allahumme lebbejke, lebbejke la sherike leke lebbejke – Të përgjigjemi Ty o Zot, të përgjigjemi, Ti nuk ke askënd shok – ortak, ne Ty të përgjigjemi … “.
Të veshur që të gjithë me petkun e bardhë të modestisë e dëlirësisë shpirtërore – ihramin, gjithandej nëpër vendet e shenjta në Mekë, e veçanërisht në Qabe e Arafat, myslimanët manifestojnë në formën më mahnitëse unitetin e vëllazërinë ndërmjet vete, që edhe më tej mbetet aspiratë e lartë fisnike që ka nevojë shumë më shumë për jetësim. Këto synime fisnike të haxhit janë vërejtur edhe nga të tjerët, që nga distanca soditën këtë ritual bazik të Islamit.
F. Hitti, si studiues i njohur libanezo – amerikan dhe shkollar i Harwardit, ishte njëri prej tyre. Ai, me gjithë opinionet e ngatërruara që i kishte rreth Islamit, prapë kur flet rreth haxhit dhe peshës së tij te myslimanët, në formë objektive thotë: “Haxhi edhe më tutje, përgjatë gjithë kohës mbetet një sistem që nuk krahasohet me asgjë tjetër në përforcimin e lidhjes së mirëkuptimit Islam, si dhe në përbashkimin e shtresave të ndryshme të myslimanëve. Dhe në saje të tij, i mundësohet secilit mysliman që së paku një herë në jetë të marrë rrugëtim të gjatë, që të bashkohet me besimtarët e tjerë në një vendtakim vëllazëror. Haxhiu aty i bashkon ndjenjat e veta me ndjenjat e atyre haxhilerëve të tjerë të ardhur nga gjitha anët e botës … Islami arriti një sukses që nuk arriti asnjë fe tjetër e botës. Arriti eliminimin e diskriminimit në baza racore, të ngjyrës e të nacionalitetit në mënyrë specifike në mes të pasuesve të tij … “, (The Arabs: A Short History). Një adhurim madhështor mbetet madhështor, nëse ne ruajmë shpirtin e tij, dhe përçojmë te të tjerët porositë e urtësitë e tij.
E për atë vend të bekuar, ne na mjafton ta bëjmë lutjen e përshpirtshme të Ibrahimit i cili pasi ngriti themelet e Qabesë aty, ngriti duart e tha: “(Kujto) Kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë qytet (Mekën) të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve!” (Ibrahim, 35).

Editorial
Dituria Islame 391

Nga: Prof. Driton Arifi