Pozita nuk shkon në seancën e jashtëzakonshme

Partitë opozitare, LDK e Alternativa bashkë me Vetëvendosjen, kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme, ende pa u bërë 24 orë nga votimi i qeverisë Haradinaj. Por, sipas burimeve të Gazetës Metro, deputetët e pozitës nuk do të marrin pjesë në këtë seancë të caktuar për sot në ora 12:00.

Pak më parë u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ku u vendos për mbajtjen e seancës së jashtëzonshme nga ora 12:00.

E gjithë kjo, pas kërkesës së 21 deputetëve nënshkrues (shumica të grupit parlamentar të LDK-së), është kërkuar seancë e jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me “parimet programore të Qeverisë së Republikës së Kosovës 2017-2021”, prezantuar në seancën e djeshme.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili foli për gazetarët pas mbledhjes së Kryesisë, tha se ia kanë përcjell Sekretarisë së Kuvendit kërkesën për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme me fillim nga ora 12:00, ashtu siç e ka kërkuar opozita.

Por, siç mëson Gazeta Metro pozita nuk do të marrë pjesë në këtë seancë.

Ndërkohë, shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, pas mbledhjes së Kryesisë deklaroi se Qeveria është e obliguar që të vijë në seancën e jashtëzakonshme pasi votohet prej Parlamentit e ka relacion të llogaridhënies.

“Nëse refuzon të vijë na tregon se si synojnë të qeverisin”, tha Konjufca, para gazetarëve.

Ndryshe, gjatë ditës së djeshme Kuvendi i Kosovës ka votuar për të zgjedhur kryeministrin e ri, Ramush Haradinajn. Haradinaj do të drejtojë kabinetin e ri qeveritar të dalë nga zgjedhjet e 11 qershorit, të koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe minoritetet.