Pranë Pejgamberit a.s.

Hoxhë Husamedin Abazi

Me sa dashuri dhe me sa ngurrim po të afrohem, ja Resulallah! E si të të afrohem ndryshe, kur ti je ai që, mbas Allahut xh.sh., më je qënia më e dashur, madje më e dashur se Nana për të cilën tashmë një muaj jam vyshkur nga mallëngjimi për përqafimin e saj. Si të jem ndryshe, kur ti je ai për të cilin Krijuesi im dhe i gjithësisë na ka porositur me fjalët: “Thuaju (o Muhamed): “Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndjekni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë”. (Ali Imran, 31). Po ashtu, Ky Krijues Madhështor më ka porositur duke më thënë: “Kush i bindet të Dërguarit, i është bindur Allahut…” (En-Nisaë, 80).
E ti vetë më ke njoftuar dhe më ke porositur: “Nuk ka besuar asnjëri nga ju, gjersa të jem më i dashur për të se djali i tij, prindi i tij dhe mbi të gjithë njerëzit”. (Buhariu). Po ashtu në hadithin e transmetuar nga Abdullah ibn Amr ibn Asi: “Nuk ka besuar askush, gjersa të jetë pasioni i tij në përputhje me atë që kam ardhur unë”. Ndërsa Krijuesi ynë thotë:” Jo, për Zotin tënd, ata nuk do të jenë besimtarë të vërtetë, derisa të të marrin ty për gjyqtar për kundërshtitë mes tyre,; e pastaj, të mos ndiejnë kurrfarë dyshimi ndaj gjykimit tënd dhe të të binden ty plotësisht”. (En-Nisaë, 65), po ashtu:” Nuk i takon asnjë besimtari apo besimtareje (të vërtetë) që, kur Allahu dhe i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, ata të kenë të drejtë të zgjedhin në çështjen e tyre. Kush e kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ai me siguri ka humbur”. (El-Ahzab, 36).
Krejt këto dhe shumë porosi të tjera, në lidhje me dashurinë ndaj teje, pasimin tënd dhe zbatimin e asaj që na ke porositur, po më dridhin pas çdo hapi që po të afrohem, ja Resulallah! Kjo ndjenjë dhe dridhje dashurie e ngurrimi më është përzier në mendje, shpirt dhe zemër, sidomos kur po të afrohem e po e di se sa kam arritur të jem në përputhje me porositë e lartpërmendura, kur po e di se sa janë muslimanët në përputhje me to?! Me gjithë dashurinë e zjarrtë që po më shkrin gjoksin në këto momente për të t’u afruar sa më afër, prapë po më mund ngurrimi dhe turpi për veten dhe për muslimanët se në çfarë gjendje e kemi sjellë vetën, edhe pse ti na le “Në Dritë të Bardhë e që nuk i shmanget kush asaj, pos atij që do të shkatërrohet”. (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn Maxheh dhe Ahmedi). E si ta shpjegoj ndryshe këtë që po ndodh me Umetin, pos se jemi shmangur nga Drita (Rruga) në të cilën ti na le. Si ta shpjegoj këtë që po ndodh në Irak, në Siri, në Libi, në Jemen, në Egjipt, në Tunis, në Saudi e në Emirate, çfarë po bëjnë gjitha këto me Palestinën, Kudsin e Aksanë?!Çfarë po ndodh me shqiptarët gjithandej tokave arbërore…?!Trilionët janë duke u harxhuar në armatimin që po përdoret për të vrarë muslimani muslimanin; që të dy Tekbirin e kanë në maje të gjuhës, por asnjëri në Zemrën e tij! Si t’iu përgjigjemi fëmijëve Rohengjija të Arakanit: “Bi ejji dhenbin kutilet”?! (Et-Tekvir). Si të të afrohem kur për të gjitha këto do t’më pyesësh?! E çfarë të përgjigjem unë fakiri?! Si të të përgjigjem, ja Resulallah, kur po jetojmë kohën në të cilën me miliona muslimanë po vriten, qindra mija shtëpi e vendbanime të tyre po rrënohen mbi kokat e tyre dhe të fëmijëve të tyre, biliona pasuri tokësore e nëntokësore të tyre po shkatërrohen, artefakte e gjurmë historike (që i kanë shpëtuar edhe luftërave botërore) sot po rrënohen e po plaçkiten, bibliotekat, xhamitë e faltoret po rrafshohen me tokë. Edhe për këto e di se do të më pyesësh… Edhe sa tjera katrahura që i ka përjetuar ky Umet, sidomos që nga fillimi i shekullit të kaluar e qe 100 vjet?!
….
Megjithatë, po marr guximin e po të afrohem, ja Resulallah, pasi që përkrah gjithë kësaj kemi edhe sihariqe, kemi për të të marrë myzhde dhe për të të gëzuar. Myzhde ja Resulallah, se me gjithë rëniet dhe katrahurat që i përjetoi dhe po i përjeton Umeti, gjeneratat e fundit, të rinjtë dhe të rejat, sidomos në këto 30 vitet e fundit, janë duke përjetuar një Rilindje Islame, e cila, ndoshta, edhe i ka tërbuar Dushmanët e Islamit dhe të Muslimanëve, ndaj edhe nuk po lënë intrigë as planifikim xhehnemitë pa e përdorur kundër këtij Umeti! Megjithatë, kjo Rini e vetëdijshme, e stolisur me Iman dhe Dije në fushat e ndryshme të jetës e me Islamin e Rrugës Mesatare dhe me Thirrjen Paqësore, me urtësi dhe këshilla të mira po e çan rrugën drejt së ardhmes së ndritshme e të pandalshme, e cila është kuptuar nga kjo Rini se: Nuk përmirësohet e tashmja dhe as ndërtohet e ardhmja e këtij Umeti pos me atë që është përmirësuar fillimi i tij. Kjo rini, e prirë nga bashkëmoshatarë me plot elan dhe me të moshuar të urtë e largpamës, dijetarë e hoxhallarë, dita-ditës po dëshmojnë se janë ajka e popujve dhe e kombeve të ndryshme brenda këtij Umeti. Të jap sihariqin, ja Resulallah, se dita-ditës masat e gjëra po e kuptojnë se nuk ka shpëtim dhe as qetësi e rehati shpirtërore dhe as materiale, pa iu kthyer Programit Hyjnor, i cili e rregullon këtë Botë dhe atë Botë: “Ai është i vetmi Zot (i vërtetë) në Qiell dhe i vetmi Zot (i vërtetë) në Tokë…”. (Ez-Zuhruf, 84),I lartësuar qoftë Ai, Zoti i gjithdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm. Të jap sihariqin, ja Resulallah, se kjo Rini sot po i stërmbush xhamitë e Umetit tënd gjithandej, pasi që ato me dekada ishin të lëna bosh nga Rinia. Kësaj Rinie, Allahu po ia zbukuron fytyrat me abdesin që e marrin dhe në të njëjtën kohë, kjo Rini po e nderon Umetin edhe me indeksat e zbukuruar me 9-she e 10-she, me abdesin dhe indeksat e tyre po ia dëshmojnë “teoricienëve” se vërtetë Feja është “Opium”. Për çdo ditë e më shumë po dëshmohet se nuk ka shpëtim, jo vetëm moral, por as biologjik e ekzistencial, pos me zbatimin e Programit Hyjnor, i zbritur në Kur’an dhe Sunet; nuk ka rini të shëndoshë, si në aspektin fizik, ashtu edhe në atë psikik e moral, pos me zbatimin e këtij Programi.
Femra Muslimane dita-ditës po e kupton se nuk mund t’i shpëtojë eksploatimit fizik e moral pos me të jetuarit brenda këtij Programi e i cili i përmbush nevojat e saj në të gjitha aspektet dhe duke mos i bërë asaj asnjë padrejtësi. Dijetarët Muslimanë, duke eksploruar në fusha të ndryshme po i dëshmojnë historisë se njerëzimi mbarë nuk ka dhe nuk do ketë qetësi, paqe e harmoni mbarënjerëzore pos me rikthimin e Rendit Islam, madje këtë po e thonë edhe shkencëtarë të ndryshëm jomuslimanë. Vërtet, njerëzimi ka nevojë imediate për një Rend të Drejtë, i cili do të realizonte drejtësi dhe barazi ndërmjet popujve e kombeve anembanë globit. Te jap sihariqin, ashtu si na ke përgëzuar ti ja Resulallah, se kjo nuk është e largët, përkundrazi Allahu me Rahmetin dhe me Fuqinë e Tij po i krijon shkaqet (edhe pse Ai, i lartmadhëruar qoftë është i Gjithëfuqishëm dhe me KUN-in e Tij kur Dëshiron krijon dhe ndryshon gjendje edhe pa shkaqe fare) që ne po i shohim për çdo ditë në rikthimin e Islamit që ta shpëtojë njerëzimin mbarë.
Esselamu Alejke, ja Resulallah!
P.s Këtë shkrim të para ca viteve të shkruar pranë varrit të Pejgamberit a.s në Medine po e ripostoj me disa ndryshime të realiteteve të reja!

Nga: Husamedin Abazi