Presidenti amerikan Biden e quan Putinin “kriminel lufte”

Komentet e presidentit amerikan erdhën një ditë pasi Senati i SHBA-së miratoi një rezolutë që kërkon të mbështesë një hetim të krimeve të luftës ndaj presidentit rus për luftën në Ukrainë

Presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se beson se presidenti rus Vladimir Putin është një “kriminel lufte”, ndërsa lufta e Moskës kundër Ukrainës është gati të hyjë në javën e saj të katërt, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Unë mendoj se ai është një kriminel lufte”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë pas një pyetjeje të gazetarëve.

Komentet e tij erdhën një ditë pasi Senati i SHBA-së miratoi një rezolutë që kërkon të mbështesë një hetim të krimeve të luftës ndaj presidentit rus për luftën në Ukrainë.

Nga Ukraina kanë dalë vazhdimisht raportime se forcat ruse synojnë objektet civile, duke përfshirë maternitetin dhe një teatër në qytetin Mariupol, ku njerëzit strehoheshin nga bombardimet.

Biden më herët gjatë ditës autorizoi 800 milionë dollarë ndihmë të re për Ukrainën për të forcuar forcat e saj përballë luftës. Paketa e re e ndihmës përfshin sisteme anti-ajrore Stinger, raketa anti-tank Javelin, armë të lehta kundër mjeteve të blinduara, sisteme kundër mjeteve të blinduara, sisteme taktike ajrore pa pilot, si dhe pushkë dhe municione.

Lufta Rusi-Ukrainë, e cila filloi më 24 shkurt, ka shkaktuar reagime ndërkombëtare, ka çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të firmave globale nga Rusia.

Të paktën 726 civilë janë vrarë dhe 1.174 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës.

Më shumë se 3 milionë refugjatë kanë ikur në vendet fqinje, sipas OKB-së. /aa