Presidenti i EBA-së në vizitë të paparalajmëruar në Egjipt

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, mbërriti në Egjipt sot për një vizitë të paparalajmëruar, transmeton Anadolu.

Vizita erdhi menjëherë pasi ministri i Jashtëm i regjimit sirian Faisal Mekdad mbërriti në Arabinë Saudite, për vizitën e parë në mbretëri që nga viti 2011.

Bin Zayed u mirëprit në aeroportin e Kajros nga presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve WAM.

Presidenca egjiptiane konfirmoi mbërritjen e bin Zayedit në Kajro, por pa dhënë detaje të mëtejshme.

Regjimi sirian filloi të shkëmbejë vizita dhe kontakte zyrtare me disa vende arabe në vitet e fundit, ndërsa është raportuar për një rifillim të mundshëm të anëtarësimit të Sirisë në Ligën Arabe me bazë në Kajro.