Presidenti i Gjermanisë viziton Ukrainën

Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, ka vizituar Ukrainën për herë të parë që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë në kryeqytetin Kiev, Steinmeier vuri në dukje se ka vizituar Ukrainën për të treguar mbështetjen e tij për ukrainasit.

“Mesazhi im ndaj ukrainasve është: Do të vazhdojmë ndihmat tona ekonomike, politike dhe ushtarake. Në Kiev ndodhem në një periudhë kur vazhdojnë sulmet ajrore, për të treguar solidaritetin tonë me ukrainasit”, u shpreh Steinmeier.

Ai do të takohet në Kiev me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

Pritet që Zelenskyy dhe Steinmeier t‘u bëjnë thirrje bashkive gjermane që në një periudhë të shkurtër të krijojnë partneritete të reja me bashkitë në Ukrainë për të ndihmuar njerëzit atje gjatë dimrit.

Presidenti gjerman në muajin prill kërkoi të vizitonte Kievin bashkë me presidentin e Polonisë dhe tre vendeve baltike, por Ukraina e refuzoi këtë kërkesë.

Kjo situatë shkaktoi një pauzë të përkohshme në marrëdhëniet Gjermani-Ukrainë, por me bisedimet e kryera më pas, problemet u zgjidhën.