Presidenti iranian fajëson ‘armiqtë e huaj’ për helmimet e nxënësve

Ebrahim Raisi

Presidenti iranian Ebrahim Raisi të premten fajësoi armiqtë e Teheranit për një valë helmimesh të qindra nxënëseve në mbarë vendin.

Sulmet e deritanishme të pashpjegueshme me helm në më shumë se 30 shkolla në të paktën katër qytete filluan në nëntor në qytetin e Iranit, Qom, duke nxitur disa prindër që t’i nxjerrin fëmijët e tyre nga shkolla.

Ministri i Shëndetësisë i Iranit tha të martën se qindra vajza në shkolla të ndryshme kanë vuajtur dhe disa politikanë kanë sugjeruar se ato mund të ishin shënjestruar nga grupet që kundërshtojnë arsimimin e vajzave.

Raisi, duke folur para një turme në Iranin jugor të premten në një fjalim të transmetuar drejtpërdrejt në televizionin shtetëror, fajësoi armiqtë e Iranit për helmimin.

“Ky është një projekt sigurie për të shkaktuar kaos në vend ku armiku kërkon të fusë frikë dhe pasiguri tek prindërit dhe nxënësit,” tha ai.

Ai nuk tha se cilët ishin ata armiq, megjithëse udhëheqësit iranianë zakonisht akuzojnë SHBA-në dhe Izraelin, ndër të tjera, se po veprojnë kundër tyre.

Në një lajm tjetër, një zyrtar i lartë iranian tha se një cisternë karburanti e gjetur pranë një shkolle në një periferi të Teheranit dhe e cila ishte vërejtur gjithashtu në dy qytete të tjera ishte ndoshta e përfshirë në helmimet.

Autoritetet kapën cisternë dhe arrestuan drejtuesin e saj, mirëpo nuk u dhanë më shumë informata.