Presidenti italian, Sergio Mattarella, ka bërë thirrje për veprim të shpejtë kundër përdorimit “të papërshtatshëm dhe të pakontrolluar” të inteligjencës artificiale dhe ka paralajmëruar kundër manipulimit të informacionit përmes lajmeve të rreme, transmeton Anadolu.
“Duhet të veprojmë shpejt dhe me efektivitet për të parandaluar përdorimin e papërshtatshëm dhe të pakontrolluar të inteligjencës artificiale”, tha Mattarella në ceremoninë e hapjes së Festivalit të Rajoneve.
Sipas raportit të agjencisë së lajmeve ANSA, presidenti italian theksoi nevojën për hartimin dhe zbatimin e një rregulloreje të përshtatshme.
“Që sot, është e qartë se si manipulimi i informacionit, përfshirë përmes përhapjes së lajmeve të rreme duke përdorur mundësitë që ofron interneti, mund të ndikojë në opinionin publik dhe të formësojë pikëpamjet dhe zgjedhjet e tij”, tha Mattarella.
Ai paralajmëroi për rrezikun e humbjes së kontrollit mbi proceset teknologjike me zhvillimin e modeleve përmes mësimit makinerik.
Sipas tij, është e nevojshme të vihen frena ndaj konkurrencës gjithnjë e më intensive mes një numri të kufizuar aktorësh, me rezultate që “shkenca aktualisht nuk është në gjendje t’i parashikojë”.
“Nëse do të kufizoheshim vetëm në rolin e spektatorëve të zgjerimit të fuqisë llogaritëse në çdo drejtim, vlerat themelore të rëndësisë qendrore të jetës njerëzore dhe njëkohësisht demokracia jonë mund të minoheshin”, paralajmëroi ai.


