Presidenti kinez Xi Jinping tha se ribashkimi i Tajvanit me Kinën është “i pandalshëm”, një ditë pasi Pekini përfundoi stërvitjet dyditore ushtarake rreth ishullit, transmeton Anadolu.
“Ne kinezët në të dy anët e ngushticës së Tajvanit ndajmë një lidhje gjaku dhe farefisnie. Ribashkimi i mëmëdheut tonë, një prirje e kohës, është i pandalshëm”, tha Xi në fjalimin e Vitit të Ri.
Pekini nisi të hënën stërvitjet e përbashkëta ushtarake dyditore “Misioni i Drejtësisë 2025”, disa ditë pasi SHBA-ja miratoi një shitje rekord armësh me vlerë mbi 11 miliardë dollarë për Tajpein.
Kina e konsideron Tajvanin “provincë të shkëputur”, ndërsa Tajpei këmbëngul në pavarësinë e tij që nga viti 1949.
“Bota sot po përjeton njëkohësisht ndryshime dhe turbullira, dhe disa rajone ende janë të përfshira nga lufta”, tha Xi.
“Kina gjithmonë qëndron në anën e duhur të historisë dhe është e gatshme të punojë me të gjitha vendet për të avancuar paqen dhe zhvillimin botëror dhe për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin”, shtoi ai.
– Xi thekson zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të Kinës
Meqenëse viti 2025 shënon përfundimin e Planit të 14-të Pesëvjeçar për zhvillim ekonomik dhe social, Kina i ka përmbushur objektivat e përcaktuara në plan dhe ka bërë “përparime të qëndrueshme në udhëtimin e ri të modernizimit kinez”, tha Xi.
Ai theksoi se pritet që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i Kinës të arrijë në 140 trilionë juanë (20,01 trilionë dollarë) në vitin 2025.
“Fuqia jonë ekonomike, aftësitë shkencore dhe teknologjike, aftësitë mbrojtëse dhe fuqia e përbashkuar kombëtare kanë arritur nivele të reja”, tha ai.
Xi foli gjithashtu për zhvillimet teknologjike të vendit, duke thënë: “Shumë modele të mëdha të inteligjencës artificiale po konkurrojnë në një garë për kryesimin dhe janë arritur përparime në kërkim-zhvillimin e çipave tanë”.
Ai përmendi gjithashtu Fujian, aeroplanmbajtësen e parë të vendit të pajisur me sistem katapulte elektromagnetike, e cila u vu në shërbim këtë vit, si dhe zhvillimin e robotëve humanoidë dhe dronëve.
“Të gjitha këto e kanë kthyer Kinën në një nga ekonomitë me ritmin më të shpejtë të rritjes së aftësive inovative”, tha ai.
Në vitin 2026, në fillim të Planit të 15-të Pesëvjeçar, ai tha se Kina “duhet të përqendrohet në qëllimet dhe detyrat tona, të rrisë besimin dhe të ndërtojë vrull për të ecur përpara”.
“Duhet të hedhim hapa të sigurt për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë, të thellojmë më tej reformat dhe hapjen e plotë, të sjellim mirëqenie për të gjithë dhe të shkruajmë një kapitull të ri në historinë e mrekullisë kineze”, shtoi Xi.







