Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, u nis të mërkurën nga kryeqyteti i Arabisë Saudite, Riad, për në Kajro të Egjiptit, si pjesë e vizitës së tij zyrtare në vend, raporton Anadolu.
Erdogan u takua të martën me Princin e Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, në Riad, tha Drejtori i Komunikimit të Turqisë, Burhanettin Duran.
Në vizitën e tij zyrtare në Arabinë Saudite, Erdogan u shoqërua nga zonja e parë turke, Emine Erdogan, ministri i Jashtëm, Hakan Fidan, ministri i Financave, Mehmet Simsek dhe ministri i Mbrojtjes, Yasar Guler, si dhe ministra të tjerë.
Presidenti turk është në rrugë për në Kajro me ftesë të Presidentit egjiptian, Abdel Fattah el-Sisi, për të bashkëkryesuar takimin e dytë të Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë Turqi-Egjipt.
Gjatë vizitës në Egjipt, Erdogan dhe Sisi pritet të diskutojnë çështje dypalëshe dhe të shkëmbejnë pikëpamje mbi zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare, me fokus të veçantë në Palestinë.
Erdogan gjithashtu planifikon të marrë pjesë në një Forum Biznesi Turqi-Egjipt gjatë vizitës së tij në Kajro.




