Presidenti Zelenskyy vlerëson presidentin Erdoğan për mbështetjen e integritetit territorial

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, ka vlerësuar homologun e tij turk, Recep Tayyip Erdoğan, për mbështetjen e integritetit territorial dhe sovranitetin e Ukrainës, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Sot kam pasur biseda të gjata me Erdoğan, presidentin turk. Jam mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të presidentit Erdoğan për integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit tonë. Ne folëm për bashkëpunimin në sektorët e ekonomisë, energjisë dhe mbrojtjes”, tha Zelenskyy në një video-mesazh të premten mbrëma.

Të enjten, presidenti Erdoğan vizitoi qytetin ukrainas Lviv, ku u takua me presidentin Zelenskyy dhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres.

“Unë e vlerësoj Turqinë që ndihmon me këtë projekt duke u kujdesur për rindërtimin e qytetit Kharkiv dhe rrethinave. Një vend që është jashtëzakonisht i fuqishëm mund ta përfundojë këtë detyrë. Marrëveshja e infrastrukturës u nënshkrua, duke shënuar fazën e parë”, tha presidenti Zelenskyy.

Sipas presidentit ukrainas, kriza e ushqimit në botë filloi të përmirësohet pasi hyri në fuqi marrëveshja e korridorit të grurit, që u ra dakord në Istanbul nga Turqia, Rusia, Ukraina dhe OKB-ja.

“Rezultati është i qartë dhe jo vetëm për Ukrainën, por edhe për botën. Sepse ashpërsia e krizës globale të ushqimit ndihet se po zvogëlohet”, u shpreh Zelenskyy.

Ai deklaroi se i kërkoi presidentit turk dhe shefit të OKB-së t’u përgjigjen planeve të Rusisë për të kryer “referendume të rreme” në territoret e aneksuara padrejtësisht nga Moska gjatë luftës në Ukrainë.