Presidentja greke: Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar

Katerina Sakellaropoulou

Presidentja e Greqisë, Katerina Sakellaropoulou, tha se perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është një prioritet strategjik për Greqinë, raporton Anadolu.

Presidentja greke po qëndron në Beograd, ku është takuar me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

“Ne e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si pjesë të Evropës. Zgjerimi do të sigurojë paqen dhe sigurinë në këtë zonë dhe do të parandalojë ndikimin e palëve të treta që kanë dëshirë të ndërhyjnë në këtë zonë për arsyet e tyre”, tha Sakellaropoulou në konferencën e përbashkët për media, duke shtuar se anëtarësimi do të ishte një përfitim i shumëfishtë, si për Ballkanin Perëndimor, ashtu edhe për të ardhmen e BE-së.

Ajo theksoi se Greqia gjithmonë ka konsideruar se Serbia i përket familjes evropiane dhe ka shprehur qëndrim të prerë për nevojën që Serbia të anëtarësohet në BE.

Vuçiq vlerësoi se të dy vendet “kanë marrëdhënie më shumë se miqësore, marrëdhënie si motra”, ndërsa Sakellaropoulou vlerësoi se marrëdhëniet dypalëshe kanë qenë të jashtëzakonshme, të qëndrueshme dhe të patrazuara për gati 150 vjet dhe se qëllimi është përshpejtimi i zbatimit të Strategjisë për Partneritet Strategjik në fushën e energjisë, turizmit, kulturës dhe mbrojtjes.

“Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar”

Sakellaropoulou tha se ajo dhe Vuçiq diskutuan zhvillimet në lidhje me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe theksoi se ajo e mbështet atë dialog, qëllimi i të cilit është normalizimi i marrëdhënieve dhe gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme që do të sigurojë stabilitet në Ballkan dhe përshpejtim për rrugën evropiane të Serbisë.

“Ne mbështesim bisedimet e fundit sa i takon planit të zbatimit dhe përmirësimin e pozicionit tuaj në Evropë. Qëndrimi ynë për Kosovën mbetet i pandryshuar dhe stabil”, tha Sakellaropoulou, duke shtuar se Greqia është e gatshme të ndihmojë Beogradin dhe Prishtinën.

E pyetur nëse ka pasur presion që Greqia ta njohë pavarësinë e Kosovës, ajo tha se presione ka gjithmonë, por kjo nuk ndikon ndaj Greqisë.

Presidentja e Greqisë theksoi se çështja e zbatimit të aneksit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve tani është pjesë e rrugës evropiane të Serbisë dhe se zbatimi edhe nga Prishtina do të kontribuojë në përpjekjet e përgjithshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor.

Në konferencë, ajo vuri në dukje se invazioni rus në Ukrainë është i pajustifikuar dhe se të gjithë duhet të luftojnë për paqen, duke shtuar se aspiratat për zgjerimin e territorit janë të dënueshme dhe nuk kanë vend në Evropën e shekullit të 21-të.

Ajo foli edhe për marrëdhëniet greko-turke dhe tha se tensionet janë ulur sepse Greqia dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira fqinjësore me respektim të plotë të së drejtës ndërkombëtare.

Vuçiq: “Greqia mbështet integritetin territorial të Serbisë”

Vuçiq tha në konferencë se respektimi i së drejtës ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm për Serbinë dhe se “Greqia mbështet integritetin territorial të Serbisë, kështu që Serbia mbështet integritetin e Republikës së Greqisë si në tokë, ashtu edhe në det, ashtu edhe në ishujt dhe në ajër, dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

Vuçiq shtoi se në takimin me presidenten greke ka folur qartë për rëndësinë e kërkimit të një zgjidhjeje kompromisi me Prishtinën, por ka përsëritur edhe vijat e kuqe të Serbisë.

“Ne duhet të ruajmë paqen dhe stabilitetin në rajon dhe kjo është në interesin tonë jetik. Është në interesin tonë jetik të përshpejtojmë rrugën tonë evropiane. Unë falënderova për mbështetjen e dhënë Serbisë në rrugën evropiane, që janë përpjekur të ndihmojnë vendin tonë, edhe pse kjo nuk ishte e lehtë”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se Serbia duhet të bëjë shumë gjëra në rrugën drejt BE-së që janë të lidhura me dialogun me Prishtinën, duke shtuar se po punohet edhe në reformat tjera.