Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se Kosova qëndron përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Donald Trump në mbështetje të veprimeve kundër, siç e ka quajtur ajo, regjimit narko-terrorist të Venezuelës.
Osmani theksoi se Presidenti Trump ka qëndruar me popullin e Venezuelës duke iu kundërvënë narko-shtetit të udhëhequr nga Nicolas Maduro, në mbrojtje të Amerikës dhe sigurisë globale nga kartelet dhe krimi i organizuar. Sipas saj, ky është shembull i qartë i forcës dhe lidershipit amerikan.
Ajo shtoi se populli venezuelian meriton liri, demokraci dhe një të ardhme të bazuar në sundimin e ligjit, e jo në frikë dhe autoritarizëm.
Osmani nënvizoi se narko-terrorizmi dhe sundimi autoritar paraqesin kërcënim për paqen edhe përtej kufijve kombëtarë.
Duke kujtuar përvojën e Kosovës, Osmani tha se vendi e kupton mirë ndikimin e vendosmërisë amerikane, duke theksuar se çlirimi i Kosovës është dëshmi e drejtpërdrejtë e kësaj mbështetjeje.
Ajo bëri thirrje për unitet transatlantik, duke vlerësuar se komuniteti ndërkombëtar është më i fortë kur qëndron i bashkuar pas lidershipit amerikan dhe vlerave të përbashkëta.
“Në momente kur SHBA-të përballen me tiraninë, ne qëndrojmë së bashku, sepse liria jonë kolektive varet prej saj,” përfundoi Osmani.








